Liderët botërorë mblidhen në Egjipt për samitin e klimës, Guterres: SHBA e Kina janë vendet më ndotëse, bashkëpunoni për 'ferrin klimatik', ose vdisni

7 Nëntor 2022, 17:41| Përditesimi: 7 Nëntor 2022, 17:57

  • Share

Samiti i klimës i OKB-së i këtij viti po mbahet në qytetin turistik egjiptian Sharm El-Sheikh, ku mijëra negociatorë dhe avokatë të klimës do të mblidhen për të ngritur ambiciet e tyre për krizën klimatike për klimën COP27. Negociatorët nga 200 vende, gjatë dy javëve të ardhshme, do të debatojnë propozimet e ardhshme të energjisë së pastër për të parandaluar pasojat më të këqija të krizës klimatike.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi,  u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të marrin urgjentisht "më shumë masa dhe veprime" për të sqaruar se si do të reduktojnë emetimet, gjë që do të inkurajojë palët e interesuara të lëshojnë "fondet e duhura" për të përballuar sfidën e ndryshimit të klimës.

“E gjithë bota po vuan për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo luftë duhet të ndalet, kjo luftë dhe vuajtjet që ajo ka shkaktuar, duhet të përfundojë”, tha Sisi. 

Ndërsa shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u tha dhjetëra liderëve të mbledhur të hënën për bisedimet ndërkombëtare për klimën, që të bashkëpunojnë duke i paralajmëruar ata se bota është "në një autostradë drejt ferrit klimatik" dhe duke u kërkuar dy vendeve më të mëdha ndotëse, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, të punojnë së bashku për ta shmangur atë.

"Bashkëpunoni ose vdisni. Njerëzimi është në një “autostradë drejt ferrit klimatik", tha Guterres.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak tha se është i përkushtuar ndaj fondit ndërkombëtar të klimës prej 11.6 miliardë funtesh që u zotua nga qeveria vitin e kaluar, por thotë se është e mundur që plani të zgjasë më shumë se pesë vitet e planifikuara fillimisht. Ai tha se "ne mbetemi të përkushtuar" ndaj zotimit dhe kemi parë përfitimet që financimi ndërkombëtar i klimës mund t'u sjellë vendeve anembanë botës.

Gjithashtu ai është pyetur se si ndihet për ish-kryeministrin Boris Johnson që merr pjesë në samit, ai thotë se mendon se është "e shkëlqyer" që ai është këtu, pasi kjo demonstron lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e ndryshimeve klimatike me një kryeministër aktual dhe një ish-kryeministër që marrin pjesë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se bota nuk duhet të sakrifikojë angazhimet e saj klimatike për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai tha se kriza e Ukrainës do të bënte që shumë njerëz të thonë se kanë prioritete të tjera ku duhet të fokusohen. Gjithashut shtoi se ata duhet të pajtohen me konceptin e solidaritetit financiar dhe se vendet e OKB-së janë aktualisht më afër kufirit prej 50 miliardë dollarësh.

"Agresioni rus kundër Ukrainës jo vetëm që ka sjellë luftën në tokën evropiane, por ka sjellë gjithashtu pasiguri dhe tension në botë. Por në të njëjtën kohë ne shohim shumë shtete që preken nga pasojat e zbërthimit të klimës dhe ne duhet të tregojmë se urgjenca klimatike është mirë dhe me të vërtetë këtu. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë në frontin e zbutjes dhe duhet t'i largojmë ekonomitë tona nga qymyri. Vendet e pasura, veçanërisht vendet evropiane, përfshirë Francën, duhet t'u përmbahen strategjive të tyre kombëtare për të reduktuar emetimet. Përtej këtyre shifrave, ne duhet të kemi veprime specifike dhe të dalim me partneritete që do të japin drejtësi klimatike”, tha Macron.

Presidenti i Seychelles, Wavel Ramkalawan, thotë se dëshira e tij për këtë samit është që vendimet dhe premtimet e mira të pasohen nga "veprime konkrete në vend të një grupi tjetër premtimesh që do të zgjasin shumë për t'u realizuar".

“Unë shpreh mbështetjen dhe solidaritetin për të gjitha kombet që kanë përjetuar efektet e tmerrshme të ndryshimeve klimatike kohët e fundit. Ne qëndrojmë pranë jush teksa mbani zi për ata që janë zhdukur dhe ndërsa rindërtoni qytetet dhe fshatrat tuaja. Dëshira dhe lutja ime është që të largohemi nga Sharm El-Sheikh me një pakt paqeje me planetin tonë", tha Ramkalawan.

Aktivistja për ndryshimet klimatike, Greta Thunberg nuk do të marrë pjesë në COP27, pasi ajo beson se samiti i klimës është "projektuar në një mënyrë që lejon dhe madje inkurajon vendet, kombet dhe liderët botërorë që të përdorin skemat e tyre për të përfituar". Ajo shtoi se vendet po pastrojnë veten duke "vendosur për angazhime të vogla, simbolike, shumë të largëta, të cilat ata shpesh munfohen por nuk i arrijnë dot".

Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Al Gore, tha në konferencën COP27 se i gjithë problemi ishte besueshmëria.

"Ne kemi një problem besueshmërie, të gjithë ne. Ne po flasim dhe po fillojmë të veprojmë, por nuk po bëjmë sa duhet. Duhet të shohim lëvizjen e gazit për atë që është në të vërtetë, një hap poshtë një ure drejt askund, duke i lënë vendet e botës të përballen me kaosin klimatik dhe miliarda pasuri të bllokuara, veçanërisht këtu në Afrikë. Është një zgjedhje për të vazhduar këtë model të sjelljes shkatërruese. Por ne kemi zgjedhje të tjera”, tha Al Gore.

Kryeministrja e Barbados, Mia Mottley tha në konferencë se nuk ka nevojë të kalojë "tmerrin dhe shkatërrimin që ka ndodhur mbi këtë Tokë gjatë 12 muajve të fundit".

“Qofshin përmbytjet apokaliptike në Pakistan, qoftë valët e të nxehtit nga Evropa në Kinë, apo në të vërtetë në ditët e fundit në rajonin tim, shkatërrimi i shkaktuar në Belize nga stuhia tropikale Lisa, apo përmbytjet e rrëmbyeshme disa ditë më parë në Shën Lucia. Nuk kemi nevojë ta përsërisim. Ajo që duhet të bëjmë, është të kuptojmë pse nuk po ecim më tej. Ne kemi kapacitetin kolektiv për t'u transformuar”, tha Mottlkey.

Ajo gjithashtu shtoi: “Jugu global mbetet në mëshirën e veriut global. Kjo botë duket ende shumë si kur ishte pjesë e një perandorie imperialiste. Veriu global merr hua me norma interesi midis 1-4%, jugu global me 14%. Dhe pastaj pyesim veten pse partneritetet e energjisë nuk po funksionojnë”.

Dy aktivistë të rinj ukrainas për klimën, Viktoriya dhe Valeriia thanë: "Ne duam që vendet t'i japin fund financimit të verbër të konflikteve përmes parave të karburanteve fosile dhe që Bashkimi Evropian të vendosë embargo në të gjitha karburantet fosile ruse dhe për një dalje të plotë nga tregjet ruse të energjisë".

Nicola Ferguson Sturgeon e cila është një politikane skoceze që shërben si Ministre e Parë e Skocisë, në konferencën COP27 u bëri thirrje vendeve në botën e zhvilluar që të njohin përgjegjësinë e tyre ndaj atyre kombeve që tashmë ndjejnë ndikimin e ndryshimeve klimatike.

“Ajo që shpresoj të shoh në këtë COP është një bisedë serioze për këtë çështje për herë të parë në 30 vite. Ndryshimet klimatike janë shkatërruese. Nuk është vetëm ndikimi ekonomik, ka pjesë të botës ku mënyrat e tyre të jetesës po ndryshojnë tërësisht. Kulturat dhe traditat po dëmtohen seriozisht dhe pjesët më të pasura të botës kanë një detyrim për mendimin tim që t'i ndihmojnë ato vende të përballen me humbjen dhe dëmin, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për përshtatjen dhe zbutjen. Një nga problemet e mëdha për sa i përket besimit këtu është angazhimi për 100 miliardë dollarë në vit në financimin e klimës që ende nuk është dhënë”, tha ajo.

Presidenti i Seychelles, Wavel Ramkalawan, thotë se dëshira e tij për këtë samit është që vendimet dhe premtimet e mira të pasohen nga "veprime konkrete në vend të një grupi tjetër premtimesh që do të zgjasin shumë për t'u realizuar".

“Unë shpreh mbështetjen dhe solidaritetin për të gjitha kombet që kanë përjetuar efektet e tmerrshme të ndryshimeve klimatike kohët e fundit. Ne qëndrojmë pranë jush teksa mbani zi për ata që janë zhdukur dhe ndërsa rindërtoni qytetet dhe fshatrat tuaja. Dëshira dhe lutja ime është që të largohemi nga Sharm El-Sheikh me një pakt paqeje me planetin tonë", tha Ramkalawan.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?