Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka shpallur fituesin e një procedure tenderuese me vlerë 232 milionë lekë (rreth 2.4 milionë euro) për ndërtimin e strukturave akomoduese, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet më 16 maj 2025 në Tiranë.
Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kontrata është realizuar me procedurën "me negocim, pa njoftim paraprak", dhe kompania fituese është “REDCLOUD”, me vlerën përfundimtare të kontratës 232,000,000 lekë, nga fondi limit prej 235 milionë lekësh.
Objekti i kontratës specifikon ndërtimin e strukturave akomoduese dhe konstruksioneve të përkohshme, të cilat do të shërbejnë për pritjen dhe zhvillimin e punimeve të nivelit të lartë të këtij samiti, ku pritet të marrin pjesë liderë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve partnere.
Kompania REDCLOUD është në pronësi të Klodian Makashit. Samiti i Komunitetit Politik Europian, i cili do të mbahet për herë të parë në Tiranë, pritet të sjellë në Shqipëri liderët më të lartë të vendeve europiane dhe të rajonit. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më parë se bëhet fjalë për një event të nivelit më të lartë politik në kontinent, që përfshin vendet nga Londra në Kiev, nga Oslo në Ankara.
Komente
