Zgjedhja e Trump, Rama nga Budapesti: U bë shumë zhurmë, të mos bëhemi histerikë! Kur ishte President, NATO u bë më e fortë! Për Shqipërinë s’ndryshon asgjë

7 Nëntor, 12:10| Përditesimi: 7 Nëntor, 16:53

  • Share

Nga Budapesti ku ndodhet për samitin e 5 të komunitetit Politik Europian, kryeministri Edi Rama e komentoi si pozitive për BE-në zgjedhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Rama theksoi se asgjë nuk do të ndryshojë në raport me Shqipërinë. 

“Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për të”, tha Rama. 

Mendimin e tij lidhur me Trump, thotë se ia ka shprehur edhe presidentit të Ukrainës Volodimir Zelensky.

“Ia kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t'u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë", u shpreh Rama. 

Mes batutash ai komentoi edhe krizën politike në Gjermani.

“Unë jam më i gjati mes të gjithë tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të flas për gjëra kaq të mëdha. Këto vende të mëdha janë mjaftueshëm të forta për t'i kapërcyer të tilla situata dhe ndoshta në një farë mënyre, kjo do të ndihmojë gjermanët, të bëjnë më shumë”, vijoi Rama. 

Rama foli edhe për prioritetet e samitit të ardhshëm të komunitetit Politik Europian që do të mbahet në Tiranë brenda 6 muajve të parë të vitit.

Po marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen, dhe sigurisht ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve evropiane, sigurisht, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që të kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim.

Në Budapest do të diskutohet mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Europa në seancën plenare që do të pasohet nga 4 sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.

Ora 16:50
Komuniteti Politik Evropian në Budapest, Rama me shefin e NATO-s dhe kryeministrin e Holandës në takim bilateral

1730994716_ramamerutten.JPG

Kryeministri Rama ka takuar Budapest ditën e sotme shefin e NATO-s Marc Rutte dhe më tej u takua me kryeministrin e Holandës Dick Schoof në një takim bilateral. Në takim Rama ishte i shoqëruar nga ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni dhe nga nënkryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Etilda Gjonaj.

Rama ndodhet në kryeqytetin hungarez në mbledhjen e Komunitetit Politik Evropian së bashku me liderë të tjerë të Europës dhe BE-së, ndër të cilët është edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ora 15:33
Fotoja familjare e takimit të Komunitetit Politik Europian, Rama krah Orban dhe Michel

Samiti i Komunitetit Politik Europian i zhvilluar këtë të enjte në Hungari mblodhi liderë nga disa vende të Evropës.

Mes liderëve mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Në foton familjare Rama ishte pozicionuar krah kryeministrit hungarez Orban dhe Presidentin e  Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ora 14:46
FOTOLAJM/ Erdogan bën bashkë Ramën e Mitsotakis në Budapest

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me presidentin turk, Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis pak para fillimit të takimit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

Mediat greke shkruajnë se gjatë kësaj bisede informale, liderët shkëmbyen mendime mbi rezultatet e zgjedhjeve amerikane, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Liderët evropianë u mblodhën në Hungari për samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), një platformë që u themelua në vitin 2022 për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane në trajtimin e çështjeve kryesore globale.

Ora 12:47
FOTOT/ Rama në Budapest për samitin e Komunitetit Politik Europian, pritet nga Orban! Takim edhe me Zelenskyn

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Budapest ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian. Rama është pritur nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Po ashtu, kreu i qeverisë është takuar edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili merr pjesë në punimet e këtij samiti.

Ora 12:42
Rama për zgjedhjen e Trump: Le të mos bëhemi histerikë, Zelenskyt i thashë të mos shqetësohej! Herën e parë thanë NATO do dobësohet, por u forcua!

 

Kryeministri Edi Rama, duke folur për gazetarët, sot në Budapest

Teksa në Budapest të Hungarisë po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, për çështjet e sigurisë, i pranishëm ndodhet edhe kryeministri Shqiptar, Edi Rama.

Ai u takua edhe me homologun hungarez, Viktor Orban, kurse Shqipëria merr stafetën për ta organizuar samitin e radhës në vendin tonë vitin tjetër.

Rama njoftoi se vitin tjetër ky Samit mbahet në Shqipëri dhe foli shkurtimisht për mediat në lidhje me këto çështje, por edhe për raportet e NATO-s me SHBA-të, pas zgjedhjes së presidentit Trump.

Prononcimi i plotë i Edi Ramës nga Budapesti:

-Samiti i tjetër i komunitetit është në Shqipëri. Cilat janë objektivat, ndryshimi i klimës, të tjera?

 Kryeministri Edi Rama: Po. Po marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen, dhe sigurisht ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve evropiane, sigurisht, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që të kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim.

 -Pyetje lidhur me zgjedhjen e Presidentit  të ri të Amerikës?

 Kryeministri Edi Rama: Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta, jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm. Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën.

 -Po çfarë do t'i thoni Zelenskit sot, kur të vijë? Çfarë do t'i thoni të atij?

Kryeministri Edi Rama: Ja kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t'u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t'i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë.

Ndaj, nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese. Në të kundërt, mund të jetë një mundësi e madhe për të bërë gjërat ndryshe për ne dhe për botën.

 -Po lidhur me stabilitetin në Gjermani, me rënien e koalicionit?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, unë jam Kryeministri i Shqipërisë. Jam më i gjati mes tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të mendoj për të gjitha gjërat e mëdha. Për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon. Shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, nuk bën ndonjë dallim të madh, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që ne jemi shumë më pak të prekur nga këto lloj emocionesh, sepse për ne është e njëjta gjë.

-Si e shihni propozimin për migrantët?

Kryeministri Edi Rama: Pyesni Giorgia se po vjen tani...

*** 

Kryeministri Edi Rama: Unë jam më i gjati mes të gjithë tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të flas për gjëra të tilla kaq të mëdha, si ajo çfarë po ndodh në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, në fund të fundit, besoj që Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha këto vende të mëdha janë mjaftueshëm të forta për t'i kapërcyer të tilla situata dhe ndoshta në një farë mënyre, kjo do të ndihmojë gjermanët, të bëjnë më shumë, e po kështu të kuptojnë se kanë një vend të madh.

Besoj se ajo çfarë është thënë, ajo çfarë është diskutuar intensivisht përpara zgjedhjeve evropiane, shkoi shumë larg dhe ndërkohë ajo çfarë ndodhi me zgjedhjet në Shtete e Bashkuara të Amerikës mund të përbëjë një mundësi për të riformësuar shumë gjëra, për ta parë botën paksa ndryshe, për ta parë vetë Europën paksa ndryshe sepse Evropa po bëhet më e vjetër. Ka nevojë për më shumë energji, për më pak rregullime dhe ndoshta është mundësi për të vënë në lëvizje gjërat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund të fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendoj se janë më të forta se çdokush që është në Shtëpinë e Bardhë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, e thashë, ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën.

Ora 12:36
Samiti i komunitetit evropian, kryeministri Rama takohet me presidentin Vuçiç

1730979468_edirama.JPG

Komuniteti politik evropian mban një takim sot në Budapest, ku merr pjesë edhe Rama.

Liderët e Francës, Britanisë, Turqisë, Ukrainës e të Ballkanit do diskutojnë për sigurinë europiane dhe rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Rama është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

S.B//ReportTv.al
Komento

Komente

  • popi: 08/11/2024 09:16

    kokrra servilit.

    Përgjigju
  • Ramaleshi: 07/11/2024 12:59

    Tani zeleshi do fitoj sepse do ta mbeshtesi rama ????????????????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?