Bota

Samiti i OKB-së/ Presidenti palestinez i bën thirrje Hamasit të dorëzojë armët: Nuk do ketë asnjë rol në qeverisje

22 Shtator, 22:40| Përditesimi: 22 Shtator, 22:43

  • Share

Abbas gjatë videomesazhit në samitin e OKB-së

Mahmoud Abbas, Presidenti i Autoritetit Palestinez, u shfaq me një videomesazh në samitin e OKB-së, pasi Shtetet e Bashkuara i mohuan vizën për të shkuar personalisht në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Presidenti palestinez Abbas deklaroi se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje dhe i bëri thirrje grupit t'ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez.

"Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje. Hamasi dhe fraksionet e tjera duhet t'ia dorëzojnë armët e tyre Autoritetit Palestinez... Ajo që duam është një shtet i bashkuar pa armë, një shtet me një ligj dhe një forcë legjitime sigurie. Ne gjithashtu dënojmë vrasjen dhe ndalimin e civilëve, përfshirë veprimet e Hamasit më 7 tetor 2023”, tha ai.

Ai gjithashtu bën thirrje për fillimin "pa vonesë" të rindërtimit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.

Brenda tre muajve nga përfundimi i luftës, thotë Abbas, do të hartohet një kushtetutë e përkohshme për të siguruar transferimin e saktë të pushtetit.

Zgjedhjet do të mbahen më pas nën vëzhgim ndërkombëtar, shton ai, duke përshkruar aspiratat e tij për një shtet të qeverisur nga sundimi i ligjit.

Pastaj, Abbasi përgëzon 149 kombet që e kanë njohur tashmë shtetin palestinez dhe u bën thirrje atyre që nuk e kanë bërë këtë, të ndjekin shembullin e vendeve që njohën Palestinën si shtet.

Ai gjithashtu shpreh gatishmërinë e tij për të punuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Arabinë Saudite dhe partnerë të tjerë për të zbatuar çdo plan paqeje të miratuar gjatë konferencës së OKB-së.


Lajmi kryesor:

Franca njeh shtetin e Palestinës, Macron merr duartrokitje në samitin e OKB-së: Nuk mund të presim më


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?