Samiti i paqes për Ukrainën jo plotësisht në unanimitet

17 Qershor, 09:09| Përditesimi: 17 Qershor, 13:39

  • Share

Për dy ditë me radhë në fundjavë në Zvicër u diskutua për të ardhmen e Ukrainës. Rreth 100 shtetet pjesëmarrëse u mblodhën për të diskutuar në afërsi të Lucernës. Samiti u mbyll të dielën (16.06.2024) me një deklaratë përfundimtare, në të cilën 80 nga 93 pjesëmarrësit u shprehën, që "integriteti territorial" i vendit të sulmuar nga Rusia të jetë baza e një marrëveshjeje të paqes.

Në deklaratën e samitit Rusia bëhet përgjegjëse për luftën në Ukrainë, ku ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe shkatërrime. Këtë dokument nuk donin ta nënshkruanin ndër të tjera Brazili, Arabia-Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pjesërisht këto shtete vazhdojnë bashkëpunimin me Rusinë në të ashtuquajturin grupi Brics dhe pavarësisht sulmit ndaj Ukrainës ruajnë raporte miqësore me Moskën. Në draftin për deklaratën përfundimtare kjo morr në konsideratë, ndaj Rusia nuk dënohet shprehimisht për sulmin e saj.

Sipas kancelarit të Austrisë Karl Nehammer fakti që disa shtete refuzuan ta nënshkruajnë dokumentin ka të bëjë vetëm me disa hollësi mbi terma të caktuara diplomatike. Por baza e përgjithshme e deklaratës nuk cënohet prej kësaj, tha Nehammer. "Ndaj nuk jam fort i shqetësuar, që dokumenti nuk u nënshkrua nga të gjithë", tha Nehammer. Ekziston dëshira për një konferencë pasuese për Ukrainën. Por është ende herët, për ta thënë, se si do të jetë formati i saj dhe nëse mund të jetë edhe Rusia pjesëmarrëse. Presidentja e Zvicrës Viola Amherd e vlerësoi deklaratën përfundimtare të samitit si një "sinjal të qartë ndaj njerëzve në Ukrainë dhe të gjithëve, që janë prekur direkt nga pasojat e luftës: Një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare ka vullnetin për të vënë në lëvizje ndryshimin."

"Jemi në rrugë të mbarë"

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj në ditën e parë të punimeve e vlerësoi si sukses samitin. "Eshtë një sukses i përbashkët i të gjithë atyre, që besojnë, se një botë e bashkuar, kombet e bashkuara, janë më të fortë se sulmuesi." Në mbyllje ai duke iu drejtuar pjesëmarrësve tha, se shpreson tani për rezultate të shpejta. Sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, konferenca në përgjithësi ka sjellë përparime. "Ne jemi në rrugë të mbarë." Dokumenti përfundimtar është i plotë dhe "i ekuilibruar", tha ai. Kuleba theksoi, se Ukraina nuk do të lihet vetëm, që Rusia të flasë me gjuhën ultimative. Përpara fillimit të konferencës për Ukrainën, presidenti rus Vladimir Putin i paraqiti kushte qeverisë në Kiev për bisedimet e paqes.

Paqja ende larg, si do të vazhohet më tej me Rusinë?

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi, se duhet të bëhen përpjekje për të gjetur kuadrin dhe një plan ecurie për një paqe të qendrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Ukrainë. Përfaqësues të disa vendeve kritikuan, që Rusia nuk ishte e ftuar në konferencë. Edhe kancelari gjerman tha, se është e vërtetë që paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet pa përfshirë Rusinë në proces. Ministri i Jashtëm i Arabisë-Saudite princi Faisal bin Farhan Al-Sau tha, se bisedimet bindëse kërkojnë kompromise të vështira. Arabia-Saudite bashkë me Turqinë mund të konsiderohen si organizatoret e mundshme të konferencës pasuese.

Qëllimi i konferencës ishte, që të iniciohet një proces paqeje, në të cilin afatgjatë duhet të përfshihet edhe Rusia. Këtë radhë Moska nuk ishte ftuar dhe as nuk pati shprehur dëshirë për të marrë pjesë në konferencë./DW

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?