Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në një intervistë për Report TV, foli për samitin e djeshëm të SEECP që u mbajt në Tiranë, ku nënshkrimi i deklaratës së përbashkët u refuzua të nënshkruhej nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Ministri theksoi se në momentin e fundit, disa vende, megjithëse kishin rënë dakord më parë, “nuk pranuan që të njihej roli i NATO-s si faktor stabiliteti në rajon, të dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe të dënohej sulmet e Iranit ndaj Izraelit.”
“Samiti i djeshëm dhe procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një nga mekanizmat e rëndësishëm që Shqipëria pati mundësinë dhe nderin të drejtonte për 12 muajt e fundit, platformë e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin në një rajon që është një pjesë anëtare e BE dhe një pjesë kandidate, për të vënë në të njëjtën tavolinë vende me interesa dhe lidhje të përbashkëta me praninë në të njëjtin rajon dhe mundësi të forta bashkëpunimi që kanë të bëjnë me korridore, transportin, të drejtat e njeriut dhe procedura të cilat ne na ofrojnë sa më shumë me BE. Samiti nuk mund të fliste i shkëputur nga realiteti dhe patëm hartuar në një deklaratë, për të cilin kishim miratimin e vendeve anëtare në raport me qëndrimin sa i përket agresionit rus në Ukrainë dhe sfidave që kanë të bëjnë me situatën aktuale në Izrael. Në minutë të fundit, megjithëse stafet kishin rënë dakord, disa vende nuk pranuan që të njihej roli i NATOS- si faktor stabiliteti në rajon, të dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe të dënohej sulmet e Iranit ndaj Izraelit. Ne vazhdojmë të jemi dhe të forcojmë edhe më shumë jo vetëm angazhimin por edhe raportet me vendet anëtare që mendojnë në të njëjtën mënyrë me ne dhe padyshim që kjo do të jetë edhe e reflektuar në ditët në vazhdim. “, u shpreh Hasani.
I pyetur për rezolutën e pak ditëve më parë të OKB, e cila u abstenua nga Shqipëria, ministri sqaroi se në të nuk dënohej Hamasi, i cili po keqpërdor situatën dhe humbjet njerëzore për interesa të tij. Ministri ripërsëriti se Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë e qartë sa i përket situatës në Palestinë. Ne jemi një nga vendet që e njohim shtetin e Palestinës. Ne kemi qenë të zëshëm për formatin e njohjes së dy shteteve dhe padyshim që këtë qëndrim e kemi shprehur fuqimisht. Situatën humanitare e kemi theksuar. Për ne paqja dhe prosperiteti i njerëzve aty është e rëndësishme. Ajo që na ka shtyrë drejt abstenimit është që rezoluta e propozuar nuk dënonte Hamasin, një organizatë terroriste, e cila po keqpërdor situatën dhe jetët njerëzore dhe kjo për ne është situatë që ka nevojë për më shumë vëmendje. “, tha Hasani.
Lajmi kryesor:
Hasani për Report Tv: Të ndalet Irani! Raportet me Greqinë duhen kuruar, çështjet t’i zgjidhim pa kushte, duke parë njëri-tjetrin në sy (VIDEO)
Xh.D/ReportTv.al
