Emanuel Macron dhe Giorgia Meloni, sot në Samitin e Tiranës

Politikë

Samiti i Tiranës/ ‘Përplasja’ për telefonatën me Trump! Meloni: Nuk do dërgojmë trupa në Ukrainë, s’kishte kuptim të isha pjesë! Macron: Folëm vetëm për marrëveshjen e paqes

16 Maj, 22:56| Përditesimi: 16 Maj, 23:09

  • Share

Më pak se një javë pas vizitës në Kiev, katër liderë europianë u shfaqën sërish së bashku në Tiranë.

Menjëherë pas përfundimit të samitit të Komunitetit Politik Europian, Emmanuel Macron, Keir Starmer, Friedrich Merz dhe Donald Tusk u tërhoqën për një takim urgjent me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kjo mbledhje e ashtuquajtur e “koalicionit të vullnetmirëve” kishte për qëllim rritjen e mbështetjes ndaj Ukrainës, në një kohë kur shpresat për negociatat në Stamboll mes Kievit dhe Moskës ishin shuar – takimi i tyre i parë zgjati më pak se dy orë.

Në këtë kontekst, liderët telefonuan Donald Trump-in për të ushtruar presion mbi presidentin amerikan në drejtim të sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Ndërkohë, Italia qëndroi jashtë këtij formati.

Kryeministrja Giorgia Meloni nuk mori pjesë as në vizitën në Kiev, as në mini-samitin e Tiranës. Duke e ndjerë ose ndoshta duke ditur se nuk do të përfshihej në telefonatën me Trump-in, Meloni tentoi të merrte iniciativën sapo mbërriti në Tiranë.

Në hollin e Teatrit të Operas, ndërsa Macron ishte ende rrugës, ajo u takua shkurtimisht me Zelensky-n, presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Starmer-in dhe Tusk-un. Pamjet u filmuan dhe u shpërndanë nga zyra e saj, si një përpjekje për të shfaqur prezencën e saj pas mungesës në trenin për Kiev dhe fotove ku Macron, Trump, Starmer dhe Zelensky shfaqeshin bashkë në Vatikan, gjatë varrimit të Papa Françeskut.

Nuk ka ende komente zyrtare nga kabineti i Melonit për këtë përjashtim të bujshëm, që vjen pas refuzimit të Italisë për të nënshkruar deklaratën e “Vullnetmirëve”. Ndërkohë që zhvillohej telefonata përtej Atlantikut, Meloni zhvillonte takime dypalëshe me von der Leyen, presidentin turk Erdogan, presidentin zviceran Keller-Sutter dhe atë të Qipros, Christodoulides.

Më vonë, në margjinat e samitit, Meloni deklaroi:

“Italia ka bërë të qartë prej kohësh se nuk është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë. Nuk ka kuptim të marrim pjesë në formate që kanë objektiva për të cilët nuk kemi dhënë miratim”.

Por Emmanuel Macron reagoi menjëherë:

“Ka një keqkuptim. Nuk kemi diskutuar për dërgimin e trupave. Qëllimi ka qenë arritja e një armëpushimi në Ukrainë, si të dielën, ashtu edhe sot. Të jemi të kujdesshëm me përhapjen e informacioneve të rreme – tashmë kemi mjaft nga Rusia”.

Një burim diplomatik europian i tha La Repubblica-s se Meloni “është vetëpërjashtuar nga biseda”. Sipas këtij burimi, nuk ka qenë vetëm përmbajtja e kritikave italiane ajo që rëndoi, veçanërisht për idenë e dërgimit të trupave, por edhe mënyra e sjelljes – vonesa demonstrative në samitin e parë të Parisit në shkurt, pasiguria për pjesëmarrjen në takimet e ardhshme, dhe frustrimi i shkaktuar te disa këshilltarë diplomatikë.

Marrëdhëniet e tensionuara mes Melonit dhe Macron-it kanë ndikuar dukshëm në këtë distancim.

Zyrtarët e Macron-it, megjithatë, shmangin komentet publike dhe nuk japin sqarime përse Meloni nuk u ftua në udhëtimin për në Kiev.

Tani katërshja duket më e konsoliduar se kurrë. Kur “Vullnetmirët” bashkë me Zelensky-n telefonuan Trump-in, presidenti amerikan ishte mbi Europë, në bord të Air Force One, në kthim nga Abu Dhabi.

“Diskutuam me Trump-in për të theksuar se është e papranueshme që Rusia nuk përgjigjet ndaj kërkesave të paraqitura nga SHBA, të mbështetura nga Ukraina dhe Europa. Nuk ka armëpushim, nuk ka asnjë takim vendimmarrës”, deklaroi Macron para gazetarëve në emër të katërshes.

Pak më herët, përpara 40 liderëve të Komunitetit Politik Europian – mes tyre 27 nga BE – Macron ishte shprehur:

“Nëse konfirmohet që delegacioni rus është aty vetëm për sy e faqe dhe nuk ka ndonjë qëllim konkret, atëherë të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë. Orët e fundit tregojnë qartë se Rusia nuk ka aspak vullnet për të negociuar një armëpushim”.

Sipas burimeve europiane, telefonata me Trump-in kishte si qëllim shtimin e presionit ndaj SHBA për të miratuar sanksione të reja kundër Moskës.

“Putini duhet të paguajë çmimin për refuzimin e paqes,” deklaroi Starmer. “Taktikat e tij – zvarritje, fitim kohe, ndërsa vazhdon të vrasë dhe të derdhë gjak në Ukrainë – janë të patolerueshme”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbështeti idenë për një përshkallëzim të masave kufizuese:

“Ne duam paqe, por duhet të rrisim presionin derisa presidenti Putin të jetë gati ta pranojë atë,” deklaroi ajo, duke njoftuar se po përgatitet një paketë e re sanksionesh.

Edhe Zelensky theksoi se nëse dështojnë negociatat e Stambollit, komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë fuqishëm – përfshirë edhe sanksione të reja.

Franca e ka përqafuar tashmë këtë linjë. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, gjatë një takimi informal të NATO-s në Turqi, kërkoi masa “shkatërruese” ndaj Rusisë. Ai iu referua një propozimi të senatorit amerikan Lindsey Graham për një paketë ekstreme sanksionesh:

Tarifa 500% për importin e naftës ruse dhe taksë të njëjtë për vendet që vazhdojnë ta blejnë.

“Ky është një mënyrë për t’ia zënë fytin Rusisë”, tha Barrot. /La Repubblica/

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?