Presidenti rus Putin, kryeministri indian Modi, presidenti kinez Xi Jinping dje në Tianjin

Bota

Samiti në Kinë/ Xi Jinping dhe Putin sulmojnë Perëndimin: Gati për një rend të ri botëror! Modi, 50 minuta në limuzinën e Carit

1 Shtator, 23:47| Përditesimi: 2 Shtator, 00:12

  • Share

Vladimir Putin dhe Narendra Modi ecin krah për krah, duke hyrë në sallën ku i presin rreth njëzet krerë shtetesh e qeverish, mbledhur në Tianjin për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Në hyrje i pret Xi Jinping, mjeshtri i madh i ceremonisë. Të tre ndalen, shkëmbejnë të qeshura dhe shtrëngime duarsh, flasin disa sekonda pa përkthyes.

Nëse ka një imazh që ky samit, zhvilluar vetëm pak kilometra nga Pekini, do t’ia lërë historisë, është pikërisht ky: tre përfaqësuesit e fuqishëm të “Jugut të Madh Global” që shfaqen si miq të vjetër, ndërkohë që përtej Paqësorit Donald Trump, njeriu që përfaqëson rendin botëror “amerikano-centrik” të cilin ky treshe kërkon ta thyejë, kalon ditën në fushën e golfit.

Trump kundër Indisë

Mes një goditjeje dhe tjetrës me shkop, presidenti amerikan nuk kurseu kritikat për Nju Delhin, ndaj të cilit ka vendosur tarifa doganore 50% për lidhjet e saj me Moskën. Në rrjetin e tij Truth Social shkroi: “Ajo që pak kuptojnë është se ne kemi shumë pak tregti me Indinë, ndërsa ata bëjnë një sasi gjigante tregtie me ne. Ka qenë një katastrofë plotësisht e njëanshme! Për më tepër, India blen shumicën e naftës dhe të pajisjeve ushtarake nga Rusia, shumë pak nga Shtetet e Bashkuara. Tani ofrohen t’i ulin tarifat në zero, por është vonë. Duhej ta kishin bërë vite më parë. Janë disa fakte të thjeshta për t’u mbajtur mend”.

Krejt tjetër ishte toni i kryeministrit indian për Putinin: “Marrëdhënia jonë është e veçantë dhe privilegjuar”, tha ai gjatë takimit dypalësh, i paraprirë nga një bisedë 50-minutëshe sy më sy brenda limuzinës presidenciale ruse. Më pas, Modi publikoi në rrjetet e tij sociale një foto me Putinin, duke theksuar: “Një miliard e katërqind milionë indianë presin ta mirëpresin në vendin tonë”, vizitë që pritet të mbahet në dhjetor. Vetëm për luftën në Ukrainë, Modi shprehu një qëndrim të ndryshëm nga Moska: “Konflikti duhet të marrë fund sa më shpejt, duhet të gjejmë një rrugë për një paqe të qëndrueshme. Këtë na e kërkon mbarë njerëzimi”.

Modi dhe Putin brenda limuzinës presidenciale ruse

Putin: faji është i Perëndimit

Putin, nga ana tjetër, e përdori skenën për të përsëritur akuzat ndaj Perëndimit. Në fjalimin e tij përpara asamblesë së SCO-së tha se "kriza nuk nisi nga sulmi rus në Ukrainë, por është pasojë e një grushti shteti në Kiev, të mbështetur e provokuar nga Perëndimi, si edhe e përpjekjeve të vazhdueshme për ta futur Ukrainën në NATO". Ai u rikthye edhe te takimi me Trumpin më 15 gusht, duke përmendur disa "marrëveshje të arritura", pa dhënë hollësi të tjera. "Që zgjidhja të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë, duhet të hiqen shkaqet në rrënjë", përfundoi ai.

Deklarata e përbashkët e Tianjinit

Përveç takimeve bilaterale, ku Putin pa edhe presidentin iranian Masoud Pezeshkian, samiti prodhoi një deklaratë të përbashkët. Dokumenti dënon sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, denoncon “situatën katastrofike humanitare në Rripin e Gazës” dhe thekson të drejtën e çdo populli për të “zgjedhur në mënyrë të pavarur dhe demokratike rrugën e zhvillimit të vet”.

Deklarata flet gjithashtu për “respekt reciprok të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial”, por pa e përmendur fare Ukrainën. U shpall gjithashtu ngritja e një banke të përbashkët zhvillimi dhe një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme: nga bujqësia te mjekësia, nga inteligjenca artificiale te turizmi, deri te sektori ushtarak.

Xi: fundi i “mentalitetit të Luftës së Ftohtë”

Seancën e hapi fjalimi i Xi Jinping. Ai denoncoi "mentalitetin e Luftës së Ftohtë që vazhdon ta ndjekë botën, e cila po kalon një periudhë turbullirash dhe transformimesh". Rendin botëror, tha ai, “e kemi në një udhëkryq”.

Për të përcaktuar drejtimin e së ardhmes, Xi propozoi “iniciativën e qeverisjes globale”, mbi të cilën të ngrihet “një sistem më i drejtë dhe më i barabartë” që të çojë drejt “një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin”. Për momentin, më shumë një vizion sesa plane konkrete. Por, siç citoi ai një filozof të lashtë kinez: “Mbështet Parimin e Madh dhe bota do të të ndjekë”./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loku: 02/09/2025 07:38

    Rendi botëror gjithmon është vendos nga perëndimi dhe sdo ndryshoje nga tre Don Kishota që as Sanço Panço që u shkon nga mbrapa skan më.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?