Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos theksoi sot në samitin që po mbahet në Shkup se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por "dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë".
Kos tha se me Shqipërinë do festojnë hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.
“Për herë të parë në historinë e Evropës, nëse e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë bashkimin e Evropës tonë. Dhe një Evropë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem e qartë: Sot ekzisto një konsensus i qartë në favor të zgjerimit, kjo nuk ka qenë kështu në të kaluarën. Por dritarja e mundësisë mund të mos jetë aty gjithmonë. Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria ka hapur tre grupkapituj gjatë 6 muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”, u shpreh Kos.
Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duar të vendeve të rajonit.
“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.
“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.
Lajmi kryesor:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, diskutohet Plani i Rritjes! Kos: Me Shqipërinë, festojmë në vjeshtë hapjen e grupkapitullit të fundit
Xh.D/ReportTv.al