Kryeministri Edi Rama, në një prononcim të shkurtër për mediat në nisje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, tha se janë më afër së kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.
Kreu i qeverisë tha se Plani i Rritjes po na afron më pranë BE, duke shtuar se janë krenarë që kanë përmbushur pikat e kërkuara.
"Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët që lidhet me zbatimin e planit të ri të rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron përditë e më shumë me BE. Jemi krenarë se kemi përmbushur deri tani të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë afatet me KE dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh kryeministri Rama.
I pyetur se çfarë pret për Shqipërinë nga Plani i Rritjes, kryeministri shtoi:
"Plani i rritjes është i qartë. Ne duhet të japim rezultate. Ata nga ana tjetër po ashtu. Ne po bëjmë pjesën tonë dhe ata të tyren. Kemi një mjet shtesë që ka të bëjë me atë që është quajtur integrim gradual dhe po zbatohet. Për Shqipërinë po ecën shumë shumë mirë.”
Lajmi kryesor:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, diskutohet Plani i Rritjes! Kos: Me Shqipërinë, festojmë në vjeshtë hapjen e grupkapitullit të fundit
Xh.D/I.M/ReportTv.al
