Foto nga sheshi 'Skëndërbej' dhe vendi i pritjes së samitit

Politikë

Më 16 maj Samiti i Komunitetit Politik Europian, 47 liderë zbresin në Tiranë! Macron e Starmer edhe për vizitë zyrtare! Report Tv zbardh axhendën

13 Maj, 14:36| Përditesimi: 13 Maj, 18:05

  • Share

Shqipëria do të kthehet në kryeqendrën e Evropës më 16 maj, kur mbahet Samiti Politik Evropian.  47 liderë nga i gjithë kontinenti do të zbarkojnë në Tiranë, për takimin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, i cili e nis zyrtarisht punën në orën 11:00, për të përfunduar më pas në orën 18.30 me konferencën përmbyllëse.

Pjesa dërrmuese e tyre, do të mbërrijnë që një ditë më parë. Drejtuesit më të lartë të BE, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von nder Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta dhe përfaqësues për politikën e jashtme të BE, Kaja Kallas do të marrin pjesë në një darkë informale me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Po më datë 15, kryeministri britanik Keir Starmer, do të nisë një vizitë zyrtare bilaterale. Ai pritet te ketë fillimisht një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama për të vijuar më pas me bisedimet mes dy delegacioneve. Burime pranë Këshillit të Ministrave, treguan për Report TV se mes dy qeverive pritet të nënshkruhet dhe një dokument përmes të cilit palët do të rrisin nivelin e bashkëpunimit dhe partneritetit mes tyre. Dy kryeministrat pritet të kenë dhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Gjatë pasdites së 15 majit Rama parashikohet të presë në një takim presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa me të cilin po ashtu do dalin përpara mediave.

Të premten e 16 majit, Rama do të nis ditën me disa takime që do i paraprijnë samitit të Komunitetit politik. Parashikohet që ai të ketë bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, e më pas me homologun spanjoll Pedro Sanchez. Kryeministri Rama do të ketë edhe gjatë pasditesh një seri takimesh të tjera me homologë të ndryshëm evropian, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin turk Rexhep Erdogan.

Samiti i nis punimet paradite i bashkëdrejtuar nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian Costa.

Tema e takimit është "Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”. Udhëheqësit pritet të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane si dhe aftësinë për reagim ndaj kërcënimeve të ndryshme. Presidenti ukrainas, pritet gjithashtu të jetë pjesë e samitit.

E nesërmja 17 maj, do të jetë sërish një ditë e ngarkuar me dy vizita të tjera zyrtare, atë të presidentes së Moldavisë, Maja Sandu dhe më pas atë të presidentit francez Emnanuel Macron. Ky i fundit, në vizitën e tij të dytë zyrtare në Tiranë, brenda një viti e gjysmë, do të shoqërohet këtë herë dhe nga bashkëshortja.

Rama dhe Macron do të kenë nga një fjalë hapëse në forumin ndërkombëtar ekonomik që mbahet në kryeqytet “Future Investment Initiative Europe”.

Ndërsa po ashtu të dy, do të marrin pjesë në hapjen në qytetin e Korçës të Ecole 42, një nga shkollat më me zë dhe të nivelit të lartë të teknologjisë së informacionit.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT
10:00 – Mbërritje 
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (pritesi i radhës)

Kliko këtu për të lexuar axhendën e plotë

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Pse sipas jush vonohet kaq shumë procesi i numërimit: