Pyetja që po ‘zien’ tani në koridoret e diplomacisë dhe analistëve të gjeopolitikës është: A po përgatit Putin një dredhi dhe blof ndaj presidentit amerikan Trump, për të avancuar me planin e tij të luftës ndaj Ukrainës?!
Nuk përjashtohet si hipotezë, por dyshimi bëhet më i fortë tek këmbëngulja e shefit të Kremlinit për të mbajtur një samit pa Ukrainën dhe pa presidentin Volodymyr Zelensky, informon "La Repubblica".
Një plan dhe kërkesë që presidenti amerikan Donald Trump e ka refuzuar, duke u shprehur se “nuk ka takim me Putin, pa prezencën e Zelenskyt”.
Por teksa dyshimet rriten, plani për takimin ecën para. Një Samit i mundshëm pritet të mbahet javën e ardhshme, me shumë mundësi në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë dalë si garante dhe negociatore.
Nga ana tjetër, BE dëshiron të jetë e përfshirë në procesin e paqes në Ukrainë dhe në këtë samit, informon "Corriere". Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u telefonoi presidentit të SHBA-së Trump, atij ukrainas Zelensky dhe të Emirateve Arabe, bin Zayed:
"Evropa duhet të merret në konsideratë", tha ajo.
Meloni u mbështet edhe nga Zelensky më pas, që bëri një postim në X dhe pohoi se “Be dëshiron të jetë pjesë e procesit të paqes”.
Nga ana tjetër Moska këmbëngul te plotësimi i kushteve dhe mospërfshirjen e Ukrainës në takimin që do mbahet.
Kurse ultimatumi i Uashingtonit skadon sot. I dërguari amerikan Witkoff thuhet se i ofroi Moskës njohje territoriale dhe heqjen e sanksioneve.
Macron gjithashtu telefonoi presidentin ukrainas.
“Kam folur gjatë me Presidentin Zelensky dhe disa udhëheqës evropianë pas zhvillimeve të orëve të fundit. Ia përsërita presidentit ukrainas mbështetjen e plotë të Francës për vendosjen e një armëpushimi, me qëllim fillimin e diskutimeve për një zgjidhje të fortë dhe të qëndrueshme që mbron të drejtat legjitime të Ukrainës dhe garanton sigurinë e saj dhe të evropianëve”, shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në një mesazh në X.
Edhe Kombet e Bashkuara u shprehën optimiste mbi zhvillimet:
“Mirëpresin të gjitha përpjekjet për të promovuar paqen në Ukrainë, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Sigurimit”, tha zëdhënësi Farhan Haq në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në lidhje me një takim të mundshëm midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Teksa negociatat bëhen intensive, lufta në front nuk ndalet në ashpërsinë e saj.
Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 30 dronë ukrainas mbi rajonet ruse gjatë natës, sipas TASS, Ministrisë Ruse të Mbrojtjes.
"Gjatë natës, sistemet e mbrojtjes ajrore në detyrë shkatërruan dhe interceptuan 30 dronë ukrainas: nëntë në rajonin e Rostovit, tetë në Republikën e Krimesë, gjashtë në rajonin e Saratovit, pesë në rajonin e Bryansk dhe një dron në rajonet e Belgorodit dhe Volgogradit", thanë ata.
Por as Moska nuk qëndroi e heshtur.
Ushtria ruse sulmoi qytetin ukrainas të Kharkiv me dronë këtë mbrëmje. Shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin, raportoi RBC-Ukrainë, duke cituar kryetarin e bashkisë Igor Terekhov.
Një zjarr shpërtheu në një biznes. Aktualisht nuk ka raportime për viktima apo për shkallën e dëmeve.
"Qëndrimi i Ukrainës është absolutisht i qartë: rruga drejt paqes duhet të fillojë me një armëpushim.” Kështu u shpreh presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në X, pas një telefonate që zhvilloi me Presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.
Lideri i Ukrainës tha se janë të gatshëm të zhvillojnë edhe takime të nivelit të lartë, ashtu sikurse kanë qenë, duke shtuar se kanë dashur gjithmonë që lufta të përfundojë.
“Ne jemi të gatshëm për këtë, si dhe për takime të nivelit të lartë në formate të ndryshme. Që nga sekondat e para të luftës, ne donim që ajo të mbaronte, sepse nuk ishte Ukraina ajo që e filloi këtë luftë. Dhe Rusia është arsyeja e vetme për zgjatjen e saj dhe mungesën e paqes."
Më pas, foli për bisedën me Cyril Ramaphosa.
"Ishte një bisedë miqësore dhe e sinqertë rreth asaj se si të arrihet paqja e vërtetë dhe të ndalohen vrasjet. E informova për kontaktet e mia të fundit me Trumpin dhe udhëheqësit evropianë. Shumë është bërë tashmë. Ne po koordinojmë qëndrimin tonë të përbashkët me të gjithë partnerët dhe ky qëndrim duhet të jetë i fortë. Kjo ka të bëjë me arkitekturën e sigurisë së ardhshme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën dhe të gjithë botën. Cyril gjithashtu ndau detaje të bisedës së tij me palën ruse."
Takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump mund të mbahet në fund të javës së ardhshme. Lajmi është bërë i ditur nga një burim për agjencinë e lajmeve TASS.
“Një takim është i mundshëm në fund të javës së ardhshme”, ka deklaruar burimi.
Komente

E gjithe perfomanca e Trumpit karshi luftes ne Ukraine eshte ne dobi te Rusise.Te gjithe filma,gjoja ashpersia e Trumpit,do veje sanksione,afate etj etj.Sa afrohen afatet,datat,direct sajohen opsione te tjera,dhe lufta vazhdon normal.
Përgjigju