Pyetja që po ‘zien’ tani në koridoret e diplomacisë dhe analistëve të gjeopolitikës është: A po përgatit Putin një dredhi dhe blof ndaj presidentit amerikan Trump, për të avancuar me planin e tij të luftës ndaj Ukrainës?!
Nuk përjashtohet si hipotezë, por dyshimi bëhet më i fortë tek këmbëngulja e shefit të Kremlinit për të mbajtur një samit pa Ukrainën dhe pa presidentin Volodymyr Zelensky, informon "La Repubblica".
Një plan dhe kërkesë që presidenti amerikan Donald Trump e ka refuzuar, duke u shprehur se “nuk ka takim me Putin, pa prezencën e Zelenskyt”.
Por teksa dyshimet rriten, plani për takimin ecën para. Një Samit i mundshëm pritet të mbahet javën e ardhshme, me shumë mundësi në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë dalë si garante dhe negociatore.
Nga ana tjetër, BE dëshiron të jetë e përfshirë në procesin e paqes në Ukrainë dhe në këtë samit, informon "Corriere". Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u telefonoi presidentit të SHBA-së Trump, atij ukrainas Zelensky dhe të Emirateve Arabe, bin Zayed:
"Evropa duhet të merret në konsideratë", tha ajo.
Meloni u mbështet edhe nga Zelensky më pas, që bëri një postim në X dhe pohoi se “Be dëshiron të jetë pjesë e procesit të paqes”.
Nga ana tjetër Moska këmbëngul te plotësimi i kushteve dhe mospërfshirjen e Ukrainës në takimin që do mbahet.
Kurse ultimatumi i Uashingtonit skadon sot. I dërguari amerikan Witkoff thuhet se i ofroi Moskës njohje territoriale dhe heqjen e sanksioneve.
Macron gjithashtu telefonoi presidentin ukrainas.
“Kam folur gjatë me Presidentin Zelensky dhe disa udhëheqës evropianë pas zhvillimeve të orëve të fundit. Ia përsërita presidentit ukrainas mbështetjen e plotë të Francës për vendosjen e një armëpushimi, me qëllim fillimin e diskutimeve për një zgjidhje të fortë dhe të qëndrueshme që mbron të drejtat legjitime të Ukrainës dhe garanton sigurinë e saj dhe të evropianëve”, shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në një mesazh në X.
Edhe Kombet e Bashkuara u shprehën optimiste mbi zhvillimet:
“Mirëpresin të gjitha përpjekjet për të promovuar paqen në Ukrainë, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Sigurimit”, tha zëdhënësi Farhan Haq në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në lidhje me një takim të mundshëm midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Teksa negociatat bëhen intensive, lufta në front nuk ndalet në ashpërsinë e saj.
Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 30 dronë ukrainas mbi rajonet ruse gjatë natës, sipas TASS, Ministrisë Ruse të Mbrojtjes.
"Gjatë natës, sistemet e mbrojtjes ajrore në detyrë shkatërruan dhe interceptuan 30 dronë ukrainas: nëntë në rajonin e Rostovit, tetë në Republikën e Krimesë, gjashtë në rajonin e Saratovit, pesë në rajonin e Bryansk dhe një dron në rajonet e Belgorodit dhe Volgogradit", thanë ata.
Por as Moska nuk qëndroi e heshtur.
Ushtria ruse sulmoi qytetin ukrainas të Kharkiv me dronë këtë mbrëmje. Shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin, raportoi RBC-Ukrainë, duke cituar kryetarin e bashkisë Igor Terekhov.
Një zjarr shpërtheu në një biznes. Aktualisht nuk ka raportime për viktima apo për shkallën e dëmeve.
Komente

E gjithe perfomanca e Trumpit karshi luftes ne Ukraine eshte ne dobi te Rusise.Te gjithe filma,gjoja ashpersia e Trumpit,do veje sanksione,afate etj etj.Sa afrohen afatet,datat,direct sajohen opsione te tjera,dhe lufta vazhdon normal.
Përgjigju