Liderët e shteteve të BE-së kanë miratuar një deklaratë të hënën vonë, përmes së cilës theksojnë nevojën që ukrainasit të kenë lirinë për të vendosur për të ardhmen e tyre. Deklarata e mbështetut nga të gjithë vendet e unionit, përveç Hungarisë, vjen përpara samitit të së premtes që të mbahet mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.
“Negociatat kuptimplote mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose reduktimi të armiqësive”, thanë udhëheqësit, duke shtuar se “ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet të mbrojë interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”.
Evropianët po përpiqen të ushtrojnë njëfarë ndikimi mbi takimin e së premtes, nga i cili janë lënë mënjanë. Ende nuk dihet nëse edhe Ukrainë do të marrë pjesë, por të hënën Trump konfirmoi se ai dhe presidenti rus do të diskutojnë për shkëmbimin e territoreve kur të takohen.
Udhëheqësit evropianë theksojnë se mirëpresin përpjekjet e Trump për t'i dhënë fund luftës por nënvizuan se "rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën".
“Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme që sjell stabilitet dhe siguri duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe faktin që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, thanë ata.
Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk do t'i dorëzojë tokë pushtuesit, por Rusia ka kontroll mbi 4 rajone, dy në lindje dhe dy në jug.
Presidenti amerikan, duke folur për gazetarët të hënën, kritikoi homologun ukrainas duhe thënë se irritohet nga veprimet e tij. Ai përjashtoi gjithashtu edhe mundësinë për prezencën e Zelenskyt në takim, teksa tha se në Alaskë do të shkojë ai dhe Putin.
Deklarata e plotë:
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian, mirëpresim përpjekjet e Presidentit Trump për t'i dhënë fund luftës agresionale të Rusisë kundër Ukrainës dhe për të arritur një paqe dhe siguri të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme që sjell stabilitet dhe siguri duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe parimin se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
Populli ukrainas duhet të ketë lirinë për të vendosur për të ardhmen e vet. Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën. Negociatat kuptimplote mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose një reduktimi të armiqësive.
Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka implikime më të gjera për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare. Ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet të mbrojë interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.
Bashkimi Evropian, në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë me të njëjtat ide, do të vazhdojë t'i ofrojë Ukrainës mbështetje politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike, ndërsa ajo ushtron të drejtën e saj të lindur për vetëmbrojtje. Gjithashtu, do të vazhdojë të mbështesë dhe të vendosë masa kufizuese kundër Federatës Ruse.
Një Ukrainë e aftë për të mbrojtur veten në mënyrë efektive është një pjesë integrale e çdo garancie sigurie në të ardhmen. Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij janë të gatshme të kontribuojnë më tej në garancitë e sigurisë bazuar në ekspertizën dhe aftësitë e tyre përkatëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të disa Shteteve Anëtare dhe duke marrë parasysh interesat e sigurisë dhe mbrojtjes të të gjitha Shteteve Anëtare.
Bashkimi Evropian nënvizon të drejtën e lindur të Ukrainës për të zgjedhur fatin e saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka komentuar deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të BE-së, përmes së cilës theksohej se duhet të jetë vetë Ukraina që duhet të vendosë për fatin e saj. Orban, i cili nuk e mbështeti deklaratën, tha se BE u la mënjanë nga SHBA e Rusia, ndërsa shton se duhet që të ndjekë të njëjtin shembull siç po bën SHBA, të organizojë një samit me Moskën.
“Vetëm katër ditë para samitit historik midis Presidentit Trump dhe Presidentit Putin, Këshilli Evropian u përpoq të lëshonte një deklaratë në emër të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Përpara se kori liberal të fillojë interpretimin e tij të ri të këngës së tyre të preferuar ‘Kukulla e Putinit’, vendosa të ndaja pse nuk mund ta mbështesja deklaratën në emër të Hungarisë”, shkruan Orban, i cili rendit tre pika.
"Deklarata përpiqet të përgatisë terrenin për një takim në të cilin udhëheqësit e BE-së nuk janë të ftuar. Fakti që BE-ja është lënë jashtë është mjaft i trishtueshëm, dhe e vetmja gjë që mund t'i përkeqësonte gjërat do të ishte nëse do të fillonim të jepnim udhëzime nga jashtë. E vetmja lëvizje e arsyeshme për udhëheqësit e BE-së është të promovojnë një samit BE-Rusi bazuar në takimin SHBA-Rusi. Le t'i japim paqes një shans."
Komente
