Sali Berisha

Opinion

Sandër Lleshaj: Bëni opozitë politikës, por jo Shqipërisë!

4 Qershor, 13:05| Përditesimi: 4 Qershor, 13:23

  • Share

Për shumëkënd është e qartë se trafikimi i drogës është një veprimtari kriminale që mbahet gjallë nga kërkesa e lartë për këtë lëndë narkotike, nga korrupsioni i atyre që paguhen për të luftuar trafikun dhe nga energjia e fortë kriminale e atyre që kërkojnë të pasurohen prej tij.

Trafikantët shqiptarët janë përfshirë në ethet e drogës shumë vonë, ndërkohë që të tjerë janë ata që e kanë ngritur dhe perfeksionuar prej shumë dekadash rrjetin kriminal të trafikimit të saj.

Të përfshirë vonë në trafik, por me etje të papërmbajtur e në padituri të madhe për labirintet e tij, trafikantët shqiptarët kanë arritur të krijojnë një imazh që është shumë herë më i keq se sa roli i tyre i vërtetë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

„Sasia më e madhe e kokainës në Europë vijon të trafikohet në portet më të mëdha të konteinerve në BE që ndodhen në Belgjikë (Antwerp), Holandë (Rotterdam) dhe Spanjë (Valencia dhe Algeciras)“ shkruhet në Raportin „Europa dhe Tregu Global i Kokainës“ të hartuar nga Agjencia e BE për Drogat.

(https://www.euda.europa.eu/.../europe-and-global-cocaine...)

Por për arsye që dalin përtej mendjes normale, më datë 3 qershor 2025, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë S. Berisha deklaronte në Bruksel përpara përfaqësuesve të Partive Popullore Europiane se „Shqipëria është i pari dhe i vetmi narko-shtet në Europë“.

Në të vërtetë, për S. Berishën, Shqipëria e tillë ka qenë sa herë që ai nuk ka qenë në krye të saj. Por në pamundësi që të bindë shqiptarët për këtë narrativë toksike, ai po stërmundohet që të bindë të huajt, duke harruar që ata e njohin më mirë se kushdo peshën specifike që zënë trafikantët shqiptarë, (dhe kurrësesi Shqipëria) në këtë veprimtari kriminale.

Por edhe sikur trafikantët shqiptarë të kryesonin tregtinë botërore të drogës (gjë që nuk është aspak e vërtetë), ata nuk mund të njësohen kurrësesi me Shqipërinë, e cila është atdheu i miliona shqiptarëve që nderojnë vetën dhe botën me punën dhe kontributin e tyre të ndershëm.

Nëse opozita politike e vendit tonë nuk don që të shndërrohet përfundimisht në „Opozitën e Shqipërisë“, ajo do të duhet të mësojë që, më në fund, në „shënjestrën“ e saj të vendosë kriminelët, kudo dhe kushdo qofshin ata, por jo vetë Shqipërinë.

Sikur drejtuesit e partive opozitare të Belgjikës, Holandës, Spanjës apo të një vendi tjetër europian të njollosnin vendin e tyre sipas modelit të S. Berishës, vështirë se vendi do t'i mbante mbi shpinë.

Por prandaj është e madhe Shqipëria: ajo mban gjithçka mbi vete, e megjithatë kurrë nuk shuhet./Marrë nga Facebook

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?