Turi i ‘Sanremo giovani’ nisi mbrëmjen e së premtes në Tiranë. 4 Finalistë të ngjarjes më të madhe muzikore italiane interpretuan këngë të tyre dhe hite historike. Me Çibukajn, MC Kresha dhe Lyrical Son, u dëgjua dhe kënga shqipe. Artistët italian e shqiptarë rrëfyen eksperiencën për Report tv, pa fshehur entuziazmin për mikpritjen e shqiptarëve.
Mjaftojnë pak nota, që publikut të mbledhur në sheshin 'Italia' mbrëmjen e kësaj të premteje, t'i trokasin në kujtesë këngët e 'Sanremos'.
Artistët e rinj, prej Italisë, në këtë tur të radhës të 'Sanremo Giovani', ia përçojnë melodinë e poezinë e ngjarjes më të madhe muzikore të vendit të tyre së pari Shqipërisë...
Martina Beltrami, Maninni, FIAT131 dhe Noor, janë 4 këngëtarë, finalistë të Sanremo Giovani 2023 që këndojnë krahas këngëve të tyre dhe hite historike të Festivalit.
“Mikpritja këtu është fantastike! E di që ju pëlqen shumë muzika italiane, kështu që ndihemi shumë të lumtur që jemi këtu për të performuar!”, thotë drejtori artistik i ‘Sanremo Giovani Tour’, muzikanti Maurizo Filardo (kompozitor, drejtor orkestre, ka kampozuar kolona zanore të filmave të njohur si “ Perfetti sconosciuti’).
Koncerti mbahet për të dytën herë në kryeqytet, e disa prej tyre, njësoj si drejtori artistik Maurizo Filardo, rikthehen në kryeqytetin tonë, pas 'Sanremo-s' së vitit të shkuar.
“Unë jam kalabrez, dhe kultura shqiptare është shumë e ngjashme me atë të tokës sime! Pritja është e ngrohtë, njerëzit të sjellshëm, dhe ndihemi si në shtëpinë tonë!”, thotë kantautori kalabrez FIAT 131.
“Jam shumë e lumtur që rikthehem në Tiranë, sepse pritjen gjatë vitit të kaluar e kujtoj me shumë përzemërsi!”, shprehet këngëtarja Martina Beltrami.
Por, krahas këngëve që interpretojnë nuk ngurojnë të na zbulojnë më shumë për përvojën personale të pjesëmarrjes në 'Sanremo'.
“Sanremo është emblema e muzikës italiane, prej aty kanë kaluar emrat më të mëdhenj! Ndaj, ajo skenë mbetet unike, e disi edhe të shtin frikën, pasi në të një artist përballet me të vërtetën. Unë kam marrë pjesë në Sanremo Giovani, shpresoj të shkoj më tej, sepse është një eksperiencë shumë e bukur!”, shprehet Beltrami.
“Çdo artist që këndon e ëndërron Sanremon! Nëse e përballon atë skenë, do të thotë që t’i ke talent, dhe një rrugë artistike përpara. Kjo të lumturon.”, shprehet FIAT 131.
Për turin një javor destinacionet do të jenë katër. Pas Tiranës, ata do të udhëtojnë në Prishtinë, Beograd dhe Sarajevë.
Organizatorët, kanë dashur t'i shikojnë bashkë edhe në muzikë Italinë e Shqipërinë. Marsela Çibukaj, që edhe moderon, performon nga këngët e saj më të fundit...
Mc Kresha, që është edhe i ftuar special gjatë kësaj mbrëmje spektakli, së bashku me Lyrical Son, pritet me entuziazëm nga publiku. Pas dy ditësh, koncerti zhvendoset në Prishtinë. Edhe përmes këngëve të tij, kompozitori e dirigjenti italian Filardo, duket se është afeksionuar pas muzikës shqiptare.
Edhe vetë italianët kanë kuptuar lidhjen e fortë që populli ynë ka me muzikën e tyre, e veçmas Sanremon.
“Sanremo është një ngjarje që ndiqet çdo vit nga të gjithë shqiptarët, me të njëjtin interes si në Itali. Në një farë mënyre ka shënuar një copëz historie mes dy vendeve”, shprehet ambasadori Fabrizio Buçi.
Ndërsa hitet e Sanremos interpretohen, me artistët kujtojmë edhe artistët shqiptarë që u bën pjesë e historikut të këtij Festivali, me emra si Anna Oxa, Elsa Lila apo edhe fituesi Ermal Meta...
“Më kanë lënë përshtypje shumë të mirë këngëtarët shqiptarë që kam dëgjuar”, thotë Filardo.
Ambasada Italiane dhe Instituti Italian i Kulturës e organizojnë këtë event, edhe në emër të miqësisë së dy vendeve dhe shkëmbimit kulturor.
“Sigurisht filluam nga vendi më i rëndësishëm për Italinë, që është Shqipëria!”, thotë ambasadori Buçi.
“Menduam që të fillonim pikërisht nga këtu edhe në nder të raportit special që ka mes Shqipërisë dhe Italisë” shprehet Alessandro Ruggera, drejtori i Institutit Italian të Kulturës.
Ëndrrën e fitores së Sanremos e mbartin të katërt këngëtarët italianë të pranishëm, por më i çmuar se kupa për ta, sikundër për artistët shqiptarë është mbështetja e publikut. Për të rinjtë që e ëndërrojnë këtë sukses, MC Kresha e ka një mesazh.
“Mos ndaloni së ëndërruari dhe së punuari për ëndrrat tuaja”, shprehet MC Kresha.