BRAZIL - Pas një tjetër periudhe të vështirë me dëmtime, Neymar është gati për të bërë rikthimin në fushë. Sipas mediave braziliane, ylli i Santos pritet të grumbullohet për ndeshjen e Kupës së Brazilit kundër Clube de Regatas më 23 maj, duke sinjalizuar një kthim të rëndësishëm për lojtarin dhe ekipin.
Më shumë se një muaj pasi pësoi një dëmtim në kofshë në ndeshjen ndaj Atlético Mineiro, 32-vjeçari është në rrugën e duhur drejt rikuperimit të plotë. Rikthimi i tij në fushë pritet të jetë një shtysë e madhe për Santos, por edhe një faktor kyç për rinovimin e mundshëm të kontratës së tij, e cila pritet të zgjasë deri në Kupën e Botës 2026.
Mediet bëjnë të ditur se Neymar është tashmë më i distancuar nga ideja e rikthimit në Evropë dhe është i përqendruar te objektivat në vendlindje. Në 7 paraqitje që nga rikthimi i tij në Santos, ai ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke dëshmuar se pavarësisht problemeve fizike, klasi i tij mbetet i padiskutueshëm.
Ky zhvillim pritet me entuziazëm edhe nga trajneri i ri i kombëtares braziliane, Carlo Ancelotti. Tekniku italian është në kërkim të pikave të referencës për të ndërtuar 'Seleçaon' e tij dhe shpreson që Neymar të jetë në formë për t’u bërë lideri i skuadrës.
Rikthimi i Neymar nuk është thjesht një lajm i mirë për Santos, por një dritë shprese për gjithë futbollin brazilian; një mundësi që lojtari më i mirë i gjeneratës së tij të realizojë ëndrrën për të udhëhequr Brazilin në një Botëror të fundit.
Komente
