Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Sarandës, pasi mbrëmjen e djeshme, ka kanosur me thikë një 41-vjeçar, i cili është bashkëshorti i Matilda Qurkut, ish kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Qarkun Vlorë.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 21-vjeçari ka kanosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 41 vjeç, dhe më pas e ka ndjekur me automjetin e tij, duke i dëmtuar automjetin që ky i fundit po drejtonte, në lagjen nr. 3, Sarandë. Pamje të kësaj ngjarjeje janë bërë publike edhe në rrjetet sociale”,- njofton policia.
Ka qenë vetë kandidatja, e cila para policisë, përmes rrjeteve sociale, ka denoncuar publikisht rastin, duke rrëfyer terrorin e përjetuar gjatë momenteve kur 21-vjeçari Mariglen Bajrami sulmoi familjen e saj.
Krahas disa videove të ngjarjes që ka publikuar, ajp pretendon se fillimisht Mariglen Bajrami është shfaqur para lokalit të saj me një thikë në dorë, dhe i është afruar makinës ku ishin fëmijët e saj, 2 dhe 10 vjeç, dy nipërit dhe bashkëshorti. Ky i fundit, sipas deputetes, është përpjekur menjëherë t’i largohet agresorit, por ky i riu e ka ndjekur me makinën e tij, duke e ka goditur pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim për të bërë keq.
Ish kandidatja për deputete e PD-së thotë se lidhja mes saj dhe 21-vjeçarit që i sulmoi bashkëshortin dhe fëmijët, është se prindërit e tij, kanë punuar më parë në biznesin e saj dhe “janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar”.
Postimi i plotë i Matilda Qurkut:
Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë.
Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim.
U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti.
Kur nipi pa armën, i thotë:
“Jepi gaz se ka armë!”
Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:
“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”
Babai im ishte shumë pranë agresorit.
Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë.
Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër.
Agresori largohet... por jo për t’u ndalur.
Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.
Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste:
“Na ndihmo, po na vret!”
është diçka që s’do ta harroj kurrë.
Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste – pa bërë asnjë faj.
E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.
Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë:
SIGURI dhe DREJTËSI.
Veprim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit për të kapur autorin
Mbrojtje për familjen time.
Zbatim të ligjit për të gjithë.
---
Po ndaj disa prej videove të kësaj ngjarjeje –
jo për të bërë zhurmë,
por për të treguar të vërtetën.
P.S:
Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit
Komente
