Janë përkujtuar sot viktimat dhe të internuarit e regjimit komunist në fshatin Mursi të Sarandës. Mes dhimbjesh, familjarët e të persekutuarve gjatë viteve 1946-1990 sjellin në vëmendje vuajtjet që ata kanë kaluar.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Partia Demokratike, ka marrë pjesë edhe Simon Mirakaj, Kryetar i “Shoqatës Antikomuniste Demokrate të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë” dhe deputeti i Qarkut Vlorë Bujar Leskaj.
Demokratët e fshatit Mursi janë simboli i demokracisë, ka thënë deputeti Leskaj në fjalën e mbajtur.
Kur aktiviteti po shkonte drejt mbylljes, fjalën e ka marrë edhe Jorgulla Rubie, e cila ka kërkuar që në aktivitet duhet të flitej më shumë për dhimbjet dhe vuajtjet e kaluara nga banorët e fshatit Mursi dhe jo për politikë.
Pas aktivitetit Report Tv ka marrë dëshmi nga banorët, ku flasin për persekutimin që kanë kaluar përgjatë 45 viteve.
"Nëna ime u arrestua më 20 shtator 1959 së bashku me 4 burra me akuzën si ndërlidhëse e grupit. Për të ngjallur terror në fshat, i nxorrën përpara fshatit. Nënës i kërkohej vazhdimisht të bëhej bashkëpunëtore e Sigurimit, por ajo rezistoi dhe nuk pranoi.
"Babain tim e dënuar me 101 vjet burg sepse nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor dhe të dërgohej si agjent në Greqi" thotë një e moshuar tjetër.
U rritëm zbathur, zhveshur dhe të pangrënë. Fustani im kishte 12 balloma. Nuk kishim të drejt të shkonim në mbrëmje, të ishim anëtar të Rinisë apo Frontit. Nuk kishim të drejtë të martoheshim në fshat dhe as të punonim në fshat, por dërgoheshim disa orë larg.
Pas daljes nga burgu babai u mbyt në liqenin e Mursisë nga frika dhe presioni që ushtrohej nga operativët e sigurimit për të dëshmuar gjëra të pavërteta", thotë një grua.
Fshati Mursi në Sarandë është nga më të goditurit e sistemit në Shqipëri nga krimet e regjimit komunist. Fshati Mursi numëron 1 të pushkatuar, dhjetwra të burgosur, 9 prej tyre të vdekur në burgjet komuniste.
Komente
