Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha të hënën se dëshiron të rrisë dëbimet e migrantëve të jashtëligjshëm, disa ditë pas një sulmi me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit.
"Dëbimet duhet të përshpejtohen, 'me rregullore ligjore nëse është e nevojshme'," tha Scholz gjatë një vizite në Solingen.
Kancelari gjithashtu kërkoi "zbatimin e qëndrueshëm dhe praktik" të ligjeve ekzistuese, përfshirë ato për migrantët që aplikojnë për azil në Gjermani dhe jo në vendin e parë të Bashkimi Evropian ku ata mbërrijnë në kundërshtim me Rregulloren e Dublinit.
"Me siguri do të ketë kuptim të krijohet një grup i posaçëm për të studiuar këtë", shtoi kancelari Scholz.
Tre njerëz u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin e së premtes së kaluar në një shesh në qendrën e qytetit të Solingenit.
I dyshuari 26-vjeç, i cili është me origjinë nga Siria, u dërgua në paraburgim me urdhër të gjykatës, raporton agjencia gjermane DPA.
Sulmuesi, i cili dyshohet se është anëtar i grupit terrorist të Shtetit Islamik, raportohet se ishte parashikuar të dëbohej në Bullgari pas mbërritjes në Gjermani në vitin 2022, por policia nuk arriti ta lokalizonte atë./REL