Politikë

S'do jetë më deputete, Çupi për Report TV: Largohem pa pengje! Në PD riformatim, por të mos ikë Berisha! S'kemi liderë

6 Korrik, 14:35| Përditesimi: 6 Korrik, 15:19

  • Share

Të enjten që lamë pas, Kuvendi mbylli dyert. Për disa deputetë për t’u rikthyer në shtator, e për 83 të tjerët seanca e 3 korrikut do të ishte e fundit. 

Deputetja demokrate Dhurata Çupi, nuk do të kthehet më në vjeshtë në karrigen e saj të deputetit. Përfaqësuesja e qarkut të Dibrës gjatë kësaj legjislature, më 11 maj konkurroi në Tiranë në listat e hapura, por nuk ia doli të ri-zgjidhet. 

Ajo thotë se largohet pa pengje dhe me një fitore.

"Nëse një deputet del më i pasur se ç’është futur, kjo do të thotë që se ka bërë punën me korrektësi dhe dinjitet, e unë nuk i përkas kësaj kategorie.", thotë Çupi. 

Thotë, se përfaqësimin e problematikave të Qarkut të Dibrës e ka bërë shumë mirë. Vetes, i njeh meritat e një opozitareje të mirë edhe më gjerë se kaq, në funksionet dhe detyrat që ka mbajtur në Kuvend. 

"Kam ngritur çështje të luftës kundër korrupsionit dhe një ndjesi pozitive e një lloj krenarie është që kam qenë kontribuuese që grupi parlamentar të bashkohet", shton ajo. 

Por, ndonëse jashtë Kuvendit, Çupi e ka të qartë se rruga e saj nuk është jashtë politike. 

"Do jem pranë PD-së do i shërbej çdo kauze të PD, uroj që grupi të jetë kompakt, nëse do jemi të përçarë kjo nuk i shërben Shqipërisë“, thekson Çupi. 

Megjithatë, Çupi është e vetëdijshme se rruga e PD drejt forcimit duhet të kalojë nga riformatimi i saj, por pa dorëheqjen e Berishës, të cilën nuk e sheh si opsion për shkak se sipas saj demokratët sot vuajnë për figura liderësh. 

"Sot jemi një opozitë pa një peshë të caktuar, duhet të jemi realistë, sot i vetmi opozitar me peshë është Sali Berisha. PD kërkon reformim por edhe rritjen e figurave të liderëve që i mungojnë PD-së.", u shpreh ajo. 

PD në zgjedhjet e 11 majit, njohu një ndër rezultatet më të dobëta të saj. Bashkë me aleatët ajo arriti të fitonte vetëm 50 vende në Parlament. Prej tyre, shumica janë besnikët e Sali Berishës që morën mandatin prej strehimit në listat e sigurta të deputetëve ndërsa jo pak vende i përkasin edhe aleatëve. 

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?