Rey Manaj

'S'dua të ndjeni mëshirë për mua', Rey Manaj: Idhull kam Ronaldo Fenomenin, më pëlqen bakllavaja

14 Prill, 22:33| Përditesimi: 14 Prill, 22:34

  • Share

Rey Manaj ka shënuar 20 gola me Sivasporin në Superligën e Turqisë, teksa ka merituar edhe ftesën për në Kombëtare. Lushnjari rrëfen jetën në Turqi dhe shpjegon menjëherë se gjuha ishte shumë “familjare”.

I pyetur nëse dinte fjalë turke, sulmuesi i Sivasport përgjigjet: “Patjetër që po, tamam, bismilah, ajran janë fjalë të cilat i përdorim edhe në Shqipëri”.

Manaj nis rrëfimin e tij me fëmijërinë e vështirë ku tregon: “Në vitin 1997 Shqipëria ka kaluar muaj të vështirë, por mua nuk më pëlqen që të ndaloj shumë në këtë pikë pasi nuk dua që askush të ketë mëshirë për mua. Kështu më kanë mësuar prindërit e mi, të cilët i falenderoj për gjithçka çfarë kanë bërë për mua”.

Më tej Manaj shpjegon se lidhja me futbollin ka qenë e veçantë. “Kur isha i vogël mbaroja shkollën dhe luaja me shokët tërë pasditen futboll. Më pas fundjavave shoqëroja babain pasi edhe ai luante me shokët e tij. Aty herë-herë futesha dhe unë të luaja. Aty nisi gjithçka”, tha Manaj.

Manaj tregon si u transferua në Turqi. “Presidenti i Sivasporit ishte i pari që më telefonoi kur unë isha ende i dëmtuar. E kisha ndjekur një vit më parë këtë ekip teksa luante përballë Fiorentinës. Më pas mora disa telefonata edhe nga disa klube të tjera turke, por dëshiroja të luaja me Sivasporin pasi i kisha dhënë fjalën presidentit. Tani mendoj se kam bërë mirë zgjedhjen time”, tha 27-vjeçari.

Mes të tjerash ai tregon edhe vitin ku ka kaluar më shumë vështirësi. “Në Angli kam kaluar një periudhë të keqe, jo për shkak të nivelit të futbollit atje, por thjesht se nuk u përshtata me mënyrën se si punonin. Unë isha mësuar që të punoja në palestër një herë në javë ndërsa në Angli shkonin çdo ditë”, tregon Manaj.

Sulmuesi shpjegon se çfarë fshihet pas formës së mirë, që po kalon në Turqi. “Unë jam mësuar me futbollin pasi kam firmosur për klubin tim të parë që në moshën 16-vjeçare. Tani ndihem mirë pasi i jam dedikuar këtij sporti. E shikoj me shumë pasion. Vij në stërvitje tre katër orë përpara ndërsa kujdesem shumë edhe me ushqimin. Më pëlqen që të konsumoj shumë bakllava, por e frenoj veten pasi duhet të vrapoj shumë. Preferoj ta konsumoj pas ndeshjeve”, shpjegon Manaj.

Në fund ai tregon se dëshiron që të dërgojë Sivasporin mes pesë skuadrave më të mira të Turqisë ndërsa shpjegon se idhulli i tij ka qenë Ronaldo braziliani.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?