Fatkeqësitë natyrore nuk bëjnë dallime mes shtetesh dhe kombesh. Ndaj dhe për t'u mbrojtur, kombe dhe shtete duhet të bashkëpunojnë për t’iu kundërvënë sfidave të natyrës.
“Flood North ALB” ësht një projekt stërvitor, që po zhvillohet në Shqipëri, me qëllim krijimin e një organizimi rajonal dhe europian, për të siguruar një reagim të përbashkët ndaj fatkeqësive natyrore si zjarret, tërmetet etj.
Projekti i drejtuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile Shqiptare(AKMC) do të zhvillohet në Shkodër, ndërsa pjesëmarrës janë vendet e rajonit të Ballkanit, si dhe vendeve të tjera të Mesdheut dhe BE-së.
Konferenca e Parë Planëzuese, do të mbahet në datat 30 dhe 31 maj. Konferenca ka si qëllim përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, trajnime dhe informime me banorët e zonave të prekura nga përmbytjet periodike, sikundër është Shkodra. Në pranverën e vitit të ardhshëm, në këtë zonë do të organizohet edhe një demonstrim i një përmbytjeje dhe një operacion menaxhimi për shpëtimin e njerëzve, pronave dhe bagëtive.
Drejtori i AKMC-së, Z.Haki Çako vlerësoi projektin si një mundësi të mirë për ngritjen e kapaciteteve të agjensicë shqiptare të mbrojtjes civile.
“Ky projekt do të ndikojë në ngritjen e bashkëpunimit në nivel rajoni që të reagojmë së bashku ndaj fenomeneve natyrore. Ne jemi pjesë integrale e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, dhe kemi dhënë kontributin tonë edhe jashtë vendit. Vitin e kaluar ne ndihmuam në Greqi për neutralizimin e disa vatrave të zjarrit. Por kemi ende shumë për të bërë në rritjen e kapaciteteve tona dhe në bërjen funksionale të një mekanizmi që të na bëjë të reagojmë sëbashku ndaj fatkeqsive, pavarësisht se në cilin shtet ndodhin ato” tha Çako.