‘Së bashku përjetë, derisa vdekja të na ndajë’

27 Dhjetor 2021, 11:37| Përditesimi: 27 Dhjetor 2021, 12:05

  • Share

Kjo është një nga ato historitë që tregohen në prag të festave dhe që lexuesit i gjykojnë secili sipas mënyrës së vet.

Një nga dy personazhet tonë nuk jeton më, por për tjetrin duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar.

Premtimi që bëhet në ceremoninë e martesës civile apo fetare se “do të jemi së bashku në të mirë e në të keq për të gjithë jetën, deri sa vdekja të na ndajë” në këtë rast ka funksionuar krejtësisht ndryshe.

Ata nuk janë ndarë, megjithëse njëri nuk jeton më.

Galipi dhe Jenka kanë jetuar së bashku më shumë se një gjysmë shekulli.

Nuk u lidhën me dashuri, por siç ndodhte shpesh, dikush që thirrej shkesi, u bë shkak për jetën e përbashkët e të lumtur që ata lidhën.

Jenka ishte shumë e re dhe shumë e bukur, saqë dora e saj me një trëndafil shëtiti si kartolinë në të gjithë Shqipërinë.

Ndërsa Galipi, që lundronte deteve si marinar, e dashuronte marrëzisht.

Kur marinari kthehej herët në mëngjes nga lundrimi, për të mos i shqetësuar të afërmit e saj, e zgjonte të fejuarën që flinte në ballkon me arra e bajame.

Duket si ballkoni i Romeos dhe Zhulietës, por ja që çdo dashuri e ka një ballkon, e ka një histori.

Kjo e Jenkës dhe Galipit ishte tepër fatlume.

U bënë prindër të dy fëmijëve shumë shpejt.

Kur anija ishte larg, dy prindërit e rinj i afronte zyra e radios në port.

Shumë vite më vonë kur Jenka desh ta abortojë foshnjën e tretë, Galipi u tha dy fëmijëve tashmë të rritur: “Mama ka në bark një vëlla apo motër tjetër për ju, dhe ne se bashku nuk do ta lejojmë që të ndodhi”.

Dy bashkëshortët rritën tre fëmijë të shëndetshëm e të mirë dhe shkuan t’i vizitojnë ata atje ku banojnë, deri në SHBA.

Ata që i njohën thonë se nuk kishin punë të ndara, bënin gjithçka së bashku, megjithëse 10 vjet më i madh në moshë Galipi kujdesej për të shoqen në çdo hap, sikur ta kishte fëmijë.

Jetonin me njëri-tjetrin dhe për njëri tjetrin.

Por jeta ka të panjohurat dhe të papriturat e veta.

Një javë më parë Jenka, gruaja e gjallë dhe gazmore, ndërroi jetë krejt papritmas.

Galipi e gjeti atë vetëm e të vdekur në shtëpi, siç thanë mjekët si pasojë e një iskemie cerebrale akute.

Ishte larguar vetëm 30 minuta nga shtëpia, dhe nuk qetësohej dot Galipi, pasi siç ripërsëriste mes dënesave: “Nuk i dhashë dot një gotë ujë”.

Galipi e ka të vështirë të mendojë se si do të jetë e ardhmja pa dashurinë e tij.

Dhe tani që shtëpia është plot me të afërm, vendimet e tij kanë vetëm një refren: “Ma ka lënë amanet Jenka që do të bëhet kështu!”

Dy njerëz fatmëdhenj, që duket se vazhdojnë të jetojnë së bashku.

Përse e tregova shkurtazi këtë histori?

Sepse çdo ditë dëgjojmë ngjarje të trishtuara dhune në familje, që shkojnë deri në vrasje e vetvrasje.

Sepse ka familje fatkeqe që i rrisin fëmijët nën dhunën verbale e fizike, veçanërisht të baballarëve.

Sepse ka ende gra që mbajnë familjet me punën dhe sakrificën e tyre, e që fatkeqësisht marrin si falënderim vetëm të shara e dhunë fizike.

Ndoshta për këtë u duhet kujtuar se qindra e qindra familje të tjera jetojnë edhe mes vështirësive, por në harmoni e të pandarë si Jenka e Galipi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?