Tirana mund të konsiderohet finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë, pasi bardheblutë kampion në fuqi të Superligës kanë mposhtur 3-0 Teutën në gjysmëfinalen e parë. Golat në ‘Elbasan Arena’ u realizuan nga Hasani, Bruno Lulaj dhe Lushkja.
“Rezultatin nuk e prisnim, por lojën dhe përgjigjjen e ekipit e prisnim. Duke patur parasysh që përballë kishim një kundërshtar i cili në dy ndeshjet e fundit në kampionat na ka vendosur në shumë vështirësi,”-tha Artan Karapici, zv/trajner i Tiranës.
“Rezultati është shumë i keq, 3-0. Është një rezultat i pastër. Megjithatë në vazhdim kemi kampionatin me ndeshje shumë të rëndësishme dhe pastaj do mendojmë për Tiranën. Nuk kemi çfarë humbasim dhe do luajmë gjithçka për gjithçka. Futbolli i tillë është. Sot mund të humbësh këtu 3-0, por mund të fitosh në Durrës,”-deklaroi Edi Martini, trajner i Teutës.
Ndërkohë gjysmëfinalja tjetër në Shkodër mes Vllaznisë dhe Egnatias është mbyllur pa fitues, por me shifrat 1-1. Fillimisht në ‘Loro Boriçi’ realizuan miqtë me Dëamena-n, ndërsa për vendasit barazoi Hoxhaj në minutën e 95.
“Duhet të ndalojmë atë që na e realizon çdo kundërshtar, kundërsulmin. Egnatia ndërkohë është një super ekip dhe do na mbetet ta zgjidhim kualifikimin në ndeshjen e kthimit,”-u shpreh Goce Sedlovski, trajner i Vllaznisë.
“Si ndeshje e parë ne kishim zgjedhur të qëndronim pas për të pritur Shkodrën. U munduam të ndryshojmë skemat brenda lojës që sollën edhe golin e avantazhit në 0-1. Besoj se Egnatia dhe Shkodra megjithatë po shfaqin një futboll shumë të bukur,”-tha Edlir Tetova, trajner i Egnatias.
Gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë do të luhen me 11 maj.