Pedagogu Blendi Kajsiu ka komentuar hapjen e seancës së Parlamentit, e cila zgjati vetëm 26 minuta. Kajsiu ka deklaruar se kjo seancë, vendosi gurin e fundit në 'varrin' e Republikës Parlamentare, pasi sipas tij, tashmë kemi të bëjmë me një ‘republikë kryeministrore’.
I ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Sot live në Shqipëri”, të moderuar nga Nertil Agalliu, Kajsiu është shprehur se kemi kaluar nga një demokraci me defekte, në një diktaturë liberale të Edi Ramës.
“Kjo do të futet në historinë e shkurtër të demokracisë tonë, si një goditje ndaj jetës parlamentare. Kemi kaluar nga një republikë parlamentare, në një republikë kryeministrore.
Seanca e hapjes së parlamentit, i dha atë gurin e fundit varrit e republikës parlamentare, e cila është kthyer në një monument të republikës kryeministrore. Është trendi i këtyre viteve të fundit, ku kemi kaluar nga një demokraci me defekte, drejt një diktature liberale të Ramës dhe po kalojmë drejt një diktature elektorale se nuk ka më një Parlament, nuk kemi më ekzekutiv, por kemi vetëm një kryeministër.”, tha Kajsiu.
I pyetur mbi veprimet e opozitës në seancën e së enjtes, pedagogu ka thënë se opozita e ka zhvlerësuar parlamentin. Ndërsa më tej, Kajsiu shtoi se PD reagon vetëm për hallet e kryedemokratit Sali Berisha dhe nuk flet për problemet e Shqipërisë.
“Këto janë justifikime që i di kryetari i PD dhe gjithë grupi i Partisë Demokratike. Natyrisht që zgjedhjet në Shqipëri janë me probleme, ka klientelizëm, ndërhyrje të krimit të organizuar, apo ndërhyrje të administratës shtetërore, por nuk është e vërtetë që të thuash sot që Rama i fitoi zgjedhjet duke i vjedhur zgjedhjet. Këto faktorë mund të kenë ndikuar, por e vërteta është që këtë e dinë edhe ata që janë kritikë të Ramës.
Unë mendoj se po shkojmë drejt një diktature elektorale, pasi ne e votojmë vetë diktatorin. Nuk është puna se diktatori i imponohet popullit, por është i votuar nga populli. Natyrisht që është e ndikuar kapja e medias dhe ekonomisë, por problemi qëndron tek opozita, e cila e ka zhvlerësuar Parlamentin, si një institucion ku debatohet për problematikat e shoqërisë. Ky është problemi i opozitës. Natyrisht që fajtor kryesor është pushteti për deparlamentizmin, por ky shkatërrim nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e opozitës, e cila e ka thyer Parlamentin në një megafon të halleve të kryetarit të saj Berisha. Debati që bëhet në perceptimin publik, është opozita e përdor hapësirën e saj për hallet që ka Berisha me SPAK dhe jo për hallet e Shqipërisë.”, tha Kajsiu në Report Tv.
Komente
