Debate në Kuvend/ Hajdari: Nëse hapen listat fiton fermeri, jo gangsteri! Ruçi: Në 30 Qershor mblidhet 'Legjislacioni'

25 Qershor 2020, 10:10| Përditesimi: 25 Qershor 2020, 17:19

  • Share

TIRANË- Seanca e sotme plenare nisi me 60' vonesë për shkak të mbledhjes së grupit të PS-së, ndërsa ishte e para pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore si pasojë e situatës së COVID-19, e megjithatë masat mbeten në fuqi. 

Një pjesë e deputetëve ishin të pajisur me maska, në hyrje u është matur temperatura përpara se të futen në seancë, e ndërsa vijuan që të qëndrojnë të shpërndarë në të gjithë hapësirën e Kuvendit, edhe në llozha.

Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj në Kuvend u ndal tek reforma zgjedhore, e cila vazhdon ende të diskutohet në këshillin politik. Hajdari i mëshoi faktit që listat e deputetëve duhet të hapen. Sipas saj nëse fitohet kjo kauzë, atëherë do të vendosë qytetari se kush do të hyjë në Parlament. 

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se në 30 Qershor mblidhet këshilli i Legjislacionit dhe Ligjet për të diskutuar kërkesën e opozitës parlamentare për të ndryshuar sistemin. (Lexo ketu cfare miratoi sot Kuvendi). 

Ora 14:18
Rrëzohet misma për përjashtimin e Berishës e Ruçit nga politika, Murrizi tregon institucionet ku punojnë ish-sigurimsat (VIDEO)

TIRANE-Sot Kuvendi rrëzoi projektligji për lustracionin, të propozuar nga Myslim Murrizi, i cili nëse miratohej përjashton automatikisht ish-kryeministrin Sali Berisha nga politika dhe nga listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2021, si dhe të gjithë politikanët e tjerë, të cilat kanë ushtruar disa funksione gjatë regjimit komunist, duke përfshirë edhe Gramoz Ruçin, i cili ka qenë ministër i Brendshëm në vitet e fundit të diktaturës. Myslim Murrizi u kërkoi deputetëve të votojnë projektligjin, ndërsa u ndal edhe te shumë institucione që sipas tij kanë në kupolën drejtuese ish-sigurimsa.

"Hetuesi dhe spiuni që çoi në plumb Vilson Blloshmi endet, herë vetë dhe herë në pjellën e tyre në organet e drejtësisë së re. Ministria e Brendshme ka 28 ish-sigurimsa në kupolën e saj, 71 i ka SHISH. Pse duhet të jenë 9 te shtabi i ushtrisë, 2 janë te DSIK.

Zv/ prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë ka qenë ish-hetues i Krujës. Kanë dashur mediat ta tjerrin se ky është ligj kundër Zotit Ruçi dhe Berishës. Jo jo, unë e kam me emra" tha Murrizi. Por në fund, Kuvendi ashtu si në ne 27 maj Komisioni i Ligjeve e rrëzoi nismën. 

Ora 13:25
Në Kuvend me maska, jashtë tij deputetët grumbuj në kafenenë e improvizuar (FOTO)

Në parlament me maska, jashtë tij deputetët qëndrojnë në grumbuj, në kafenenë e improvizuar para Kuvendit. Siç shihet në këto foto, deputetët nuk ruajnë distancën nga njëri- tjetri, duke konsumuar kafe njësoj sikur COVID-i të mos ekzistonte.

Ora 13:12
Vota e emigrantëve, Majko: Duhet të zgjidhim problemin e pajisjes me pasaporta (VIDEO)

Ministri i Diasporës Pandeli Majko pas vlerësimit të hapit që hodh dje nga palët politike në Këshillin Politik për votën e emigrantëve, ngriti në foltoren e Kuvendit një tjetër problem me të cilën hasen shqiptarët jashtë vendit.

Problemi lidhet me pajisjen me pasaportë. Për ta ilustruar, Majko mori dy shembuj, shqiptarët në Kanada që duhet të udhëtojnë dy herë në Nju Jork për t'u pajisur me pasaportë, por ashtu edhe ata në Kretë të Greqisë, që duhet të shkojnë në Athinë. Majko iu drejtua deputetëve duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje që në momentin që të kenë të drejtën e votës mos të përballen me këtë problem.

"Është një moment i rëndësishëm, shtyrja e afatit të pasaportave për personat mbi 75-vjeç është akt i rëndësishëm që prek edhe shqiptarët jashtë vendit. Kemi gati gjysmën e popullisë jashtë vendit. Kemi rastin e Kanadasë, shqiptarët shkojnë në Nju Jork për të bërë pasaportat, duhet të udhëtojnë dy herë nga cdo cep i Kanadasë në Nju Jork. Rasti i dytë është Kreta, ka 35 mijë shqiptarë që jetojnë atje, duhet të shkojnë dy herë me avion në Athinë, të japin gjurmët e gishtave dhe të presin lajmërimin për të shkuar.

Ne kemi dhënë një ndihmë të madhe për personat mbi 75-vjeç, u urojmë jetë të gjatë edhe 100, por shqetësim duket të kemi shpërndarjen e këtyre dokumenteve për shqiptarët në të gjithë botën, është një problem shumë i madh. Shpresoj që shumë shpejt të ulemi bashkë me kompaninë franceze dhe gjendjen Civile se kjo është një nga emergjencat më të mëdha. Dje këshilli politik mori një vendim për rakordimin dhënien në parim për shqiptarët jashtë vendit, është reformë esenciale.

Dje u ndez drita jeshile, se në komisionin e reformës do të merren vendimmarrjet bazuar në këtë marrëveshje dhe ne t'u japim jo vetëm një lajm, por atë të drejtë Kushtetuese të mohuar. E drejta e votës nëse nuk shoqërohet me këto kapacitete, ky do të kthehet në një problem të madh. Kjo nuk duhet të kthehet në sherrnajë që nuk kemi mundësi të nxjerrim pasaportat për aplikimin e së drejtës së votës. Kërkoj ndihmën e parlamentit për një nga elementët më thelbësor" tha ai.

Ora 12:43
Ish-rivali i Bashës për kryetar të PD-së: Fillimisht të dënohen baronët e politikës, pastaj të krimit (VIDEO)

Deputeti Erion Piciri, i dalë nga listat e PD-së kërkoi nga foltorja e Kuvendit që drejtësia shqiptare të marr shembull nga ajo në Kroaci, Rumani apo Maqedoni dhe të dënojë zyrtarët e lartë të vendit për atë që kanë bërë në 30 vite. "Të godasim baronët e politikës, pastaj të krimit. Kjo është ora e së vërtetës. Duhet të dëgjojmë që 'X' ministër, kryeministër apo president të dënohet për atë që ka bërë në 30 vite, e bëri Kroacia, e bëri Rumania, e bëri Maqedonia, kjo është kthesa e madhe që duhet të bëjmë" tha Piciri, që ka qenë edhe rival i Lulzim Bashës për kryetar të PD-së.

Ora 12:29
Kërkesa për ndryshimin e sistemit, Ruçi: Në 30 Qershor mblidhet 'Legjislacioni' (VIDEO)

Në fund të qershorit mbaron mandati i Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, ndërsa Ralf Gjoni iu drejtua kryetarit të Kuvendit me pyetjen se përse nuk janë diskutuar propozimet për ndryshimin e sistemit.

"Komisionit të Posaçëm të reformës i mbaron mandati javën tjetër, çfarë do të bëhet nuk do të rinovohet? Dmth javën tjetër do të pushojë së funksionuari? Ai komision nuk ka më vlerë, por ku do të shkojmë? Po vijmë në fund të korrikut dhe nuk po trajtojmë një propozim për ndryshimin e sistemit.

Unë ju kërkoj si kryetar i Kuvendit t'u jepni drejtim propozimeve tona për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duhet të thërrasim 'mjaft me lojëra'. Nuk mund të ketë ndryshim të sistemit të drejtësisë nëse nuk reformohet sistemi politik, që fillon me sistemin zgjedhor" kërkoi Gjoni.

Kryetari i Kuvendit njoftoi se në fund të muajit, në 30 qershor do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit. "Komisioni ka punë vetëm me Kodin Elektoral, jo me sistemin, është target kushtetues dhe ka procedura të tjera, për të parë. Më 30 qershor do të ketë mbledhje të Këshillit të Legjislacionit për kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit" tha Ruçi.

Ora 12:17
Debate të forta mes Valterit dhe Gjonit! Musai dhe Murrizi qetësojnë 'gjakrat'! Deputeti: Të bëhet testi i idiotit në Kuvend (VIDEO)

Teksa ishin të ulur në karrigen e tyre në Kuvend, deputetët Ralf Gjoni dhe Halit Valteri kanë pasur një debat të fortë më njëri- tjetrin. Siç shihet në videon e Report Tv, më i nervozuari nga ky debat është Valteri. Është dashur ndërhyrja e kolegëve të tjerë, Nimet Musai dhe  Muslim Murrizi për të qetësuar "gjakrat".

Më pas Valteri është larguar nga salla e Kuvendit, për disa minuta për t'u rikthyer sërish. Nga foltorja, pas sherrit, Valteri iu drejtua ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që "në Kuvend të bëhet testi i idiotit sepse ka lloj- lloj deputetësh".

"Zonja Manastirliu ju keni vendosur matjen e temperaturës në kuvend, por  bëni të bëni edhe testin e idiotit sepse këtu ka lloj-lloj deputetësh që nuk dine ç'flasin", tha Valteri.

Ora 12:08
Listat e hapura, Hajdari në Kuvend: Nëse e fitojmë kauzën, në Parlament do vijë fermeri dhe jo gangsteri (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj në Kuvend u ndal tek reforma zgjedhore, e cila vazhdon ende të diskutohet në këshillin politik. Por Hajdari i mëshon faktit që listat e deputetëve duhet të hapen. Sipas saj nëse fitohet kjo kauzë, atëherë do të vendosë qytetari se kush do të hyjë në Parlament.

"Asnjë deputet nuk shikon një lidhje të drejtpërdrejtë me elektoralin, qytetarët kanë humbur besimin te çdo politikan. Këshilli politik është kthyer në një arenë tjetër politikanësh që shikojnë vetëm interesat e tyre. Kanë kapur disa avantazhe që nuk i shërbejnë qytetarëve.

Në momentin që reforma kodifikohet duhet ti shtojmë elementë të rëndësishëm. Do luftoja që bashkë me koleget e mi t'i qëndrojmë fort kauzës së hapjes së listave. Duhet të mbarojë koha kur ne nuk përfaqësojmë elektoratin, kur ne nuk i japim shpresë këtij vendi. Duhet t'ja lëmë në dorë qytetarëve nëse ne duhet të hyjmë në parlament apo jo. Mendoj që nëse bëhet kjo betejë dhe fitohet në këtë sallë do të fitojë fermeri dhe jo gangsteri. Duke i qëndruar besnike kësaj kauze ne do t'i japim shpresë këtij vendi dhe do ta çojmë drejt rrugës evropiane", tha deputetja Rudina Hajdari.  

Ora 11:32
Murrizi: Gjendja e fatkeqësisë mbaroi, Kuvendi të kthehet në normalitet me debate (VIDEO)

Kryetari i grupit demokrat Myslim Murrizi i kërkoi Gramoz Ruçit që me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme parlamenti të rikthehet në situatë normale, referuar kohës së deputetëve për të folur, por edhe pyetjeve për drejtuesit e institucioneve të pavarura që raportojnë, pra mos ketë kufizime të kushtëzuara nga COVID-i.

"Gjendja e jashtëzakonshme mbaroi në 23 qershor, kemi dy ditë që i gjithë vendi nuk është më në gjendje të jashtëzakonshme, ndaj do të doja që Kuvendi të kthehet në normalitet, deputetët të merrnin kohën për të folur dhe nëse vijmë dhe dëgjojmë 10 minuta çdo titullar institucioni dhe duhet të bëjmë kërkesë për të bërë debat. Të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe të kalojmë në gjendje normale" tha Murrizi.

Por sipas Gramoz Ruçit, gjendja e fatkeqësisë natyrore përfundoi, por jo aktet normative që janë miratuar, prandaj edhe seanca e sotme do të zhvillohet si të kaluarat përsa i përket diskutimeve.  

"Sigurisht që gjendje të situatës së jashtëzakonshme përfundoi, por nuk kanë përfunduar së vepruari aktet normative. Do të bëjmë një mbledhje të konferencës për të diskutuar edhe kërkesën tuaj" tha Ruçi.

Ora 11:16
Akuzat kundër Thaçit dhe Veselit, deputeti: Kuvendi të miratojë rezolutë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së (VIDEO)

Referuar akuzave të ngritura ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, deputeti opozitar Kostaq Papa kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një rezolutë në mbrojtje të lutës së UÇK.

"Kërkoj nga parlamenti të dalë me një rezolutë në mbrojtje të lutës së UÇK. Dy parlamentet, Shqipëria dhe Kosova të mblidhen, por edhe përfaqësues nga Çamëria duhet të mblidhen në Prizren para 1 Korrikut për të shpallur të drejtën shqiptare për bashkimin kombëtar" kërkoi ai.

Por Gramoz Ruçi iu përgjigj duke i thënë "Depozitoje në Kuvend kërkesën sipas procedurave".

Ora 11:15
Deputeti opozitar: E paprecedentë, shtytë Kuvendin për pazarin me Metën! Ruçi: S'do përsëritet më (VIDEO)

Deputeti Halit Valteri e cilësoi si të paprecedent faktin që mbledhja e seancës plenare të Kuvendit u shty me një orë për shkak të mbledhjes së grupit të PS-së. 

"Është e paprecedent, ky është parlamenti i Shqipërisë dhe jo selia e PS-së, seanca u njoftua në 10:00 dhe u mblodh në 11:00, nëse këta burra nuk kanë kohë për pazarin me Metën...Një orë të dhunohet ky parlament se ka mbledhje PS-ja nuk kanë faj shqiptarët. Mos përsëritet më" kërkoi ai.

Gramoz Ruçi pranoi situatën dhe premtoi se nuk do të përsëritet më. "Vërejtja është e drejtë, nuk do të përsëritet më. Cdo grup ka të drejtë të ndërpresë seancën deri në një orë" tha kryetari i Kuvendit.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lako: 25/06/2020 13:30

    Lutemi dikush ti mesoje kesaj zonjes qe te flasi si njeri normal. Jo si idiote. Me ate fjalor komplet injorant. "Gangesteri", thote, "fermeri"!!! Lezoje kushtetuten idiote dhe kupto qe behet fjale per QYTETAR, dhe cdo njeri ka te drejte te zgjedhi dhe te zgjidhet ne nje moshe te caktuar. Zot ne dore te kujt e ke lene ate popull te shkrete.

    Përgjigju
  • Rahman Gashi: 25/06/2020 12:22

    Pse babai jot nuk ishte gangster qe ishte ne parlament

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?