Foto nga seanca e sotme

Politikë

Seanca e parë e Legjislaturës së X të Kuvendit, Ahmetaj: Mirënjohje për besimin! Gjiknuri: PS gati për bashkëpunim me opozitën, Çuçi: Koha të ndërtojmë ura

10 Shtator 2021, 14:58| Përditesimi: 10 Shtator 2021, 15:49

  • Share

Pas përfundim të seancës së parë të Legjislaturës së X të Kuvendit, e cila u zhvillua gjatë paradites së sotme, deputetët e Partisë Socialiste kanë shprehur mesazhet e tyre për sezonin e ri politik.

I pari i cili ka shprehur falënderimet e tij kundrejt votuesve që i besuan Partisë Socialiste mandatin e tretë historik, ishte zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj. Ai e konsideron votën e secilit si një gur në kantierin e reformave transformuese të Shqipërisë së fortë Evropiane.

Deputeti dhe njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri me një fotografi nga mbledhja e sotme e Kuvendit, ka falënderuar votuesit dhe ka dhënë mesazhin se PS do të shtrijë dorën ndaj opozitës në funksion të së ardhmes evropianë të Shqipërisë.

Ndërkohë mesazhin e saj ka dhënë edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke thënë se interesi kombëtar, interesi publik dhe e ardhmja do të jenë objektivat madhore që do të vendosen në qendër të vëmendjes.

Duke i shprehur falënderimet e tij votuesve që i besuan PS mandatin e tretë historik, ministri i Brendshëm dha mesazhin se përtej çdo debati politik prioriteti i të gjithëve duhet të jetë Shqipëria.

Ai shtoi se kjo është pikërisht koha e duhur për të ndërtuar ura dhe jo mure.

Pas 30 muajsh bojkot nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kjo ditë, 10 shtator, shënoi rikthimin e tyre në karriget e Kuvendit. Ndërkohë që legjislatura e X e Kuvendit përfundoi, pritet që sot të betohen 140 deputetët e rinj të Kuvendit.

Ora 15:43
Seanca e parë e Kuvendit, Çuçi: Përtej çdo debati politik Shqipëria është e para, koha të ndërtojmë ura

Pas përfundimit të seancës së parë të Legjislaturës së X të Kuvendit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka falënderuar votuesit për mundësinë për marrjen e mandatit të tretë historik.

Çuçi shprehet se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe për të çuar deri në fund punën e nisur të ringritjes pas pasojave të rënda që la tërmeti e pandemia dhe të hapet një kapitull i ri zhvillimi.  

Çuçi shkruan se përtej çdo debati politik e para vjen Shqipëria dhe mazhoranca me opozitën kanë më shumë arsye për të ndërtuar ura se sa mure.

“Jemi në momentin më të mirë për të besuar te Shqipëria e së ardhmes dhe për të bërë kapërcimin e madh për të cilin ka nevojë vendi dhe ne ua kemi borxh fëmijëve tanë, gjeneratave që do të vijnë. Suksese!”, shkruan ai në rrjetin e tij social Facebook.

 

Ora 14:42
Me foton nga Kuvendit, Spiropali jep mesazhin: Opozita nuk është armike por konkurrente! Do të vijojmë punën për Shqipërinë Evropiane

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, pas përfundimit të seancës së parë të Kuvendit, u shpreh se interesi kombëtar, interesi publik dhe e ardhmja do të jenë objektivat madhore që do të vendosen në qendër të vëmendjes .

Ajo tregon se Partia Socialiste nuk e shef opozitën si armike por si konkurrente.

Duke falënderuar të gjithë votuesit për besimin, Spiropali në rrjetin e saj social Facebook shkruan se “Do luftojmë pa u ndalur dhe pa u lodhur për të realizuar ëndrrën dhe premtimin tonë për një Shqipëri të zhvilluar, të drejtë, meritokratike, evropiane, me më shumë barazi dhe mundësi për të gjithë shqiptarët.”

 

 

Ora 14:24
Seanca e parë e Legjislaturës së X të Kuvendit, Gjiknuri: PS do të shtrijë dorën e bashkëpunimit me opozitën në funksion të së ardhmes Evropiane

Deputeti dhe  njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri me një fotografi nga mbledhja e sotme e Kuvendit, ka falënderuar votuesit, për besimin në PS dhe Edi Ramën për të udhëhequr edhe për 4 vitet e ardhshme.

Gjiknuri ka shprehur besimin e plotë se me punën e tij, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të luajë rolin e çmueshëm për të çuar përpara proceset e rëndësishme legjislative, duke mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

“Partia Socialiste do ta ketë të shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën në funksion të së ardhmes evropianë të Shqipërisë.”, shkruan ai në rrjetin e tij social Facebook.

Ora 13:54
Në sezonin e ri politik Ahmetaj falënderon votuesit: Na besuat privilegjin me një mandat të tretë të vazhdojmë punën e nisur, mirënjohje

Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj ka nisur sezonin e ri politike me falënderime ndaj votuesit që i besuan Partisë Socialiste mandatin e tretë radhazi.

Në veçanti ai ka falënderuar 12.626 votuesit të Njësisë 4 në Tiranë dhe 11,287 votuesit që i besuar përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

 Vota e tyre sipas Ahmetajt është një gur më shumë në kontributin për ndryshimin edhe modernizimin e Shqipërisë.

‘Mirënjohje për gjithsecilin prej jush, që me votën tuaj vendosët një gur më shumë në kantierin e reformave transformuese për të garantuar mirëqenie për të gjithë, modernizimin për zhvillim, një Shqipëri të fortë Evropiane dhe një të ardhme të sigurt për fëmijët e të rinjtë e vendit tonë.”, shkruan ai.

Mëngjesin e sotëm përfundoi seanca e parë e Legjislaturës së X, atmosfera e së cilës ishte kryesisht formale.

J.GJ./B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?