Përfaqësuesi i PD, Marash Logu, gjatë një seance në KAS
Teksa po mbahej seanca e ankimimit të PD-së për Lezhën, Kolegji Zgjedhor dhe KQZ i kanë drejtuar disa pyetje përfaqësuesit ligjor të demokratëve, Marash Logu.
KQZ rrëzoi pretendimet e opozitës, duke nënvizuar se procesi ishte i rregullt, nuk u ndalua asnjë qytetar që të votonte, nuk u gjetën shkelje serioze, teksa edhe përfaqësimi i anëtarit të KAS Ilir Rusmali është ligjor dhe jo në konflikt interesi.
Disa prej pyetjeve drejtuar PD ishin:
-Cila ishte shkelja konkrete e bërë nga kontrata me DHL nga KQZ.
-Cilat ishin shkeljet dhe rastet konkrete që keni denoncuar në KQZ për përdorim të administratës zgjedhore?
-Forma konkrete dhe prova esenciale ku bazon kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve?
-Në cilën pikë dhe cilën faqe të raportit të OSBE-ODIHR, shprehet me ndonjë problematikë në ndonjë qendër votimi?
Përfaqësuesi ligjor i opozitës u shpreh se:
“DHL shkeli kontratën duke bërë nënkontraktimin, ka të bëjë me faktin që operatorët e tjerë postarë as nuk i njohim as nuk i dimë dhe nuk dimë çfarë garancie na jep. Operatorët e tjerë postarë të vendosur aty pa miratimin e KQZ dhe palëve politike, cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
Nëse ka nevojë t’ju lexoj raportin e ODIHR e bëj me kënaqësi, por kanë konstatuar në faqen 4 parregullsi”.
Kurse përfaqësuesja e KQZ në seancë nënvizoi se denoncimet janë bërë nëpër rrjete sociale.
“Pala ka paraqitur denoncime nga Facebook”, theksoi zyrtarja e KQZ.
Kurse për përjashtimin e anëtarit të KAZ, përfaqësuesja e KQZ theksoi se “nuk ka konflikt interesi mes punës së tij në institucion tjetër dhe në KAS”.
Gjithashtu KQZ e pyeti përfaqësuesin e PD-së nëse është konstatuar ndonjë rast ku ndonjë qytetar ishte ndaluar që të votonte, që mund të përbënte edhe një provë për parregullsi.
Lajmi kryesor:
Kolegji Zgjedhor ‘certifikon’ zgjedhjet në 4 qarqe, rrëzohen ankimet e PD në Lezhë, Kukës, Korçë e Gjirokastër! Logut s'i 'del' e keqja me Rusmalin
A.Q/ReportTv.al