Seanca plenare në kohë rekord prej kaosit, studimi: Deputeti ‘profesioni’ më i paguar në Shqipëri për 2023

14 Mars, 20:50| Përditesimi: 14 Mars, 20:57

  • Share

Me skenarët e tij të kaosit Rithemelimi ka pezulluar punën normale të parlamentit të Shqipërisë por nga ana tjetër duket se e ka kthyer pozicionin e deputetit, në “profesionin” më të paguar.

Instituti i Studimeve politike, në raportin e publikuar për vitin parlamentar 2023 nënvizon se të dhënat statistikore të aktivitetit parlamentar dëshmojnë se gjatë periudhës 30 tetor dhe 21 dhjetor, në të cilën seancat plenare u bënë të shkurtuara për shkak të incidenteve të shumta fizike në parlament, − një vendim është marrë në vetëm 2.4 minuta, dhe se 8 seancat janë zhvilluar në vetëm 97 minuta.

Statistikisht një seancë "plenare ka kosto të lartë buxhetore (10−12 mijë euro) dhe zhvillimi i tyre në 4 ose 8 minuta e bën funksionin e deputetit profesionin më të paguar për minutë në Shqipëri", citohet në studim.

Nga ana tjetër po ashtu rekord është miratimi i një ligji apo një vendimi pa diskutime, në mesatarisht 2.4 minuta. Në praktikat e mëparshme parlamentare seancat kishin një mesatare debati prej 2−4 orësh, si dhe ligjet merrnin diskutime të gjata, sidomos diskutimi për buxhetin.

Në dhjetë vitet e fundit diskutimi për buxhetin ka zgjatur minimalisht një ditë kalendarike, pra rreth 16−20 orë duke u ndarë kryesisht në dy seanca diskutimi, kurse në dhjetor 2023 diskutimi dhe votimi zgjati vetëm 8 minuta, një rekord që nuk mund të gjendet në asnjë parlament bashkëkohor, madje as në periudhën përpara 1990, kur parlamenti ishte formal dhe vendimet grumbulloheshin për dy seanca në vit.

Statistikisht Kuvendi shënoi numër të madh seancash plenare, por të dhënat cilësore të tyre e bëjnë sesionin një nga më kritikët në historinë e legjislaturave të fundit. Numri i akteve është gjithashtu i lartë, por analiza e detajuar e tyre është gjithashtu larg standardeve të mira parlamentare.

"Rreth një e treta e akteve ishin vendimmarrje në funksion të nevojave ditore politike dhe më shumë se 70% e tyre kaluan përmes procedurave jo demokratike vendimmarrëse. Në total 16 ligje u miratuan me shumicë të thjeshtë, 18 me shumicë absolute dhe 3 ligje me shumicë të cilësuar", thuhet  më tej në studim.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?