AUSTRI- Ish ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg bëri ditën e sotme betimin si kancelar i Austrisë. Alexander Schallenberg u emërua kancelar, pas dorëheqjes që dha Sebastian Kurz i cili u vu në hetim për korrupsion.
Udhëheqësi i ri, u betua para Presidentit Alexander van der Belen, në Pallatin Hofburg në Vjenë. Schallenberg është një aleat i ngushtë i Sebastian Kurz, i cili u tërhoq dy ditë më parë. Kancelari i ri i Austrisë që në daljen e parë publike ka thënë se do të punojë me ngushtë me Sebastian Kurz.
"Sigurisht që do të punoj shumë ngushtë me Sebastian Kurz," tha Schallenberg.
Sebastian Kurz i ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ndërkohë nuk është larguar nga drejtimi i Partisë Popullore Austriake. Opozita ka reguar për moslargimin e tij nga partia, duke thënë se Kurz do të veprojë si kancelar nën hijen e Schallenberg.
Disa ditë më parë hetuesit austriakë bastisën zyrat e ish-kancelarit austriak, Sebastian Kurz dhe partisë së tij OVP, pasi akuzohen për korrupsion. Nën hetim është vendosur edhe kancelari Kurz. Dyshimet për korrupsion kanë filluar pasi dyshohet që nga viti 2016 kur Kurz ka qenë ministër i Jashtëm dhe më vonë kur është bërë kancelar, Ministria e Financave ka paguar reklama në një gazetë, në këmbim të sondazheve dhe favorizimin e tij.