Politikë

Sefa: PD s’ka prova për ‘farsën’ e 11 majit! ‘Lotë krokodili’ për Alimehmetin, nëse u vjen keq Noka e Këlliçi t’i lënë vendin

23 Maj, 19:26| Përditesimi: 23 Maj, 22:22

  • Share

Partia Demokratike nuk ka asnjë provë për manipulim apo vjedhje të zgjedhjeve, pasi qëllimi i saj është vetëm mbajtja në detyrë e kryetarit Sali Berisha, i cili ka vendosur “vijën e kuqe” për ata që janë zëra kritike dhe kërkojnë respektimin e statutit apo ‘Nenit Basha’.

PS mbetet një makineri elektorale e mirëorganizuar, teksa opozita po vuan përçarjen me gabimet e saj, si në Kodin Elektoral që e kërkoi vetë Sali Berisha, i cili vendosi në lista “50 skifterët e tij”.

Kështu u shpreh sot në “Studio Live” juristi pranë PD-së Indrit Sefa, teksa bëri një analizë të situatës politike në Report Tv. Ai ndau edhe mendimin se ka nevojë për ndryshim të Kodit që është i padrejtë, ashtu sikurse për reformë të re territoriale. Sipas tij, në PD po "derdhen lotë krokodili" për Ilir Alimehmetin dhe nëse do e kishin seriozisht, si Flamur Noka, ashtu edhe Belind Këlliçi do ia lironin vendin atij. Kurse për ish-prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, tha se nuk i tkaon sipas ligjit të hyjë në Kuvend, pasi vendi i përket kuotës gjinore, që është Andia Ulliri.

Kurse për partitë e reja shprehet se ato e kanë përqëndruar betejën te konfliktet mes tyre, sesa të bashkimi, me gabime strategjike para dhe paszgjedhore, që i çojnë në një dinamikë shpërbërjeje.

“Partia Demokratike nuk ka asnjë provë për vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit. Por PD thjeshtë do që të mbajë kryetarin Sali Berisha në detyrë që të mos ikë. PD e bëri vetë sistemin elektoral, e kërkoi vetë, nuk e bëri PS-ja. PD ishte koshiente që në fillim që nuk do i fitonte zgjedhjet. Qajnë me lotë krokodili për Ilir Alimehmetin, bëjnë sikur qajnë. Le të japë dorëheqjen Belind Këlliçi dhe të hyjë doktor Alimehmeti në parlament, nëse u vjen keq siç shprehen. PD ka propozuar këtë sistem, me listë të mbyllur që të jenë vetë brenda dhe të hapurën, ku të tjerët të punonin për vota për të hyrë ata”, tha Sefa për Report Tv.

Ai shpjegoi edhe punën e bërë me projektin elektoral dhe politik në PD para se të vinte Berisha. Ai tha se ishte parashikuar votimi elektronik dhe një kod elektoral ndryshe, por sapo u rikthye, i refuzoi, duke vendosur atë që është tani dhe me të cilin humbi zgjedhjet.

“Më parë PD s’e ka pasur kurrë këtë projekt, kam qenë 2 vjet ekspert te PD dhe kurrë nuk ka ekzistuar ky projekt elektoral atje. Madje në 6 qarqe të mëdha ishte parashikuar votimi elektronik nga ana jonë, që rezultati të dilte edhe shpejt. Por nuk e deshi Berisha kur u ul në tavolinë. PD nuk donte të fitonte zgjedhjet, por të fuste 50 skifterët në listat e sigurta. Berisha i hoqi PD-së vlerën më të madhe që kishte, kontributin e individit, ku tani hyn Flamuri deputet dhe rri jashtë Alimehmeti. Madje këta tani edhe matematikën e kanë humbur, shanin Lulzim Bashën, por janë më keq edhe se ai tani. Pretendojnë se do ia marrin mandatin Mundësisë, por janë 1250 vota e jo 100 vota. Pra Mundësia të mos marrë asnjë votë dhe ata të marrin mbi 1 mijë vota. Është e pamundur, këta nuk dinë më as matematikë. Këta kanë humbur edhe realitetin”, shpjegoi juristi.

Për të është e qartë situata politike brenda demokratëve. Sa më shumë rri Berisha kryetar, aq më shumë humbet PD-ja. Mendimi kundër dhe analiza kritike nuk lejohen më në atë parti dhe për më tepër është krijuar ‘vija e kuqe’ ku ndalohet të kërkohet respektimi i statutit. Sefa tha se PD do shkojë me patjetër në Parlament.

“Çdo ditë që Berisha rri në parti, është pengmarrje e PD-së. Këta edhe të shkretin Ilir Vrenozi po e sulmojnë, sikurse u tërhoq nga deklarata edhe ai kandidati i Shkodrës, që është një i ri pozitiv dhe një fije shprese brenda opozitës, pasi këta nuk të lejojnë. Mendoj se PD do shkojë në Parlament, deputetët do shkojnë si zotërinj, do luftojnë përsëri me karrige atje. Pse nuk ia vodhën votat PD-së në Kavajë? Po në Mirditë pse nuk ia vodhën votat PD-së, po në Fushë-Arrëz, ku fituan”, pyeti ai në mënyrë retorike, duke analizuar pretendimet e PD për vjedhje votash.

Sefa shpjegoi se edhe në Durrës sipas kodit elektoral dhe ligjit, duhet të hyjë Andia Ulliri nga PD në Kuvend dhe jo ish-prokurori Arjan Ndoja.

“Po bëjnë makinacione edhe me listat tani. E interpretojnë ligjin gabim për kuotën gjinore, është një listë e jo dy lista, këta thonë jo. Duan të lënë jashtë Andia Ullirin në Durrës sepse duan të fusin në parlament Arjan Ndojën. Duhet respektuar kuota gjinore, 30%, një në tre grua dhe i takon Ullirit atje në Durrës”, u shpreh juristi.

Për partitë e reja nënvizoi se ato e humbën shansin e tyre me gabimin strategjik dhe janë të destinuara të shuhen me luftën që po vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, pasi u duhet me patjetër një grup parlamentar në Kuvend.

“Ata patën divergjenca mes tyre, ishte gabim strategjik gjatë fushatës që nuk u bashkuan. Me sa u pa, Shehaj psh., e kuptoi se nuk merrte dot më shumë vota nga PD dhe nisi luftën tjetër për të marrë nga partitë e reja. Ata po të bashkoheshin do të kishin marrë të paktën 15 mandate. Strategjia e tyre është e gabuar, ndërkohë që të njëjtën strategji duan ta bëjnë edhe në parlament, por më vjen keq se kanë për t’u shuar, sepse parlamenti ka ligje të caktuara, do e kenë të vështirë, sidomos po nuk bënë grup parlamentar, pasi nuk do jenë as pjesë e kalendarit. Këta patjetër duhet të kenë grup parlamentar, por ata vazhdojnë të luftojnë mes tyre dhe të gabojnë strategji. Zgjedhjet e tjera janë afër”, argumentoi Sefa.

Ai e cilësoi PS-në si një makineri elektorale, pasi Rama e ka kaluar partinë në nivel tjetër, teksa u shpreh se sistemi zgjedhor është i padrejtë dhe duhet ndryshuar, ashtu siç ka nevojë të ribëhet edhe reforma administrative territoriale.

“PS është makineri elektorale politikisht. Nuk ka më parti, por strukturë elektorale. Nëse ke 100 vota, herën tjetër të kërkon 150 vota, ky është evolimi që ka bërë Rama në parti. Duhet me patjetër depolitizimi i komisioneve zgjedhore, që të mos jenë partiake. Sistemi zgjedhor është i padrejtë. Mendoj se ka nevojë edhe për reformë territoriale apo hartës elektorale administrative, unë jam për bashki të mëdha, për 35 të tilla dhe jo 61 bashki, duhet më shumë eficencë. Tani si mund të jenë bashki këto, Fusha-Arrëzi dhe Puka, veç e veç, ose Kavaja dhe Rrogozhina, a ka kuptim kjo? Ose lanë veç Kamzën, Vorën dhe Paskuqanin që janë ngjitur me Tiranën dhe futën Dajtin apo Baldushkun. Ka nevojë për reformën territoriale”, përfundoi juristi analizën e tij për Report Tv.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?