Tirana

Shembet godina e vjetër e UKT-së, në vend të saj nis ndërtimi i një shkolle të re në Tiranë, Veliaj: Është kantieri i 20-të, super lajm për zonën e Medresesë

22 Korrik 2021, 14:27| Përditesimi: 22 Korrik 2021, 14:43

  • Share

Në Njësinë 8 ka nisur puna për ndërtimin e një shkolle të re, në të njëjtën hapësirë kur dikur ekzistonte një shkollë, e cila më vonë ishte kthyer në zyra për administratën e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës. Pas dëmtimit që pësoi edhe nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, kjo godinë do t’i lërë vendin një shkolle moderne, aq të domosdoshme për zonën, e cila është mbipopulluar vitet e fundit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur për realizimin e këtij projekti.

“Ky është kantieri i 20-të i shkollave në Tiranën e madhe, - disa prej tyre janë në zonat rurale, e disa të tjera janë këtu, në zonat urbane, - por, për Njësinë 8, sidomos për zonën e Medresesë, ku ndodhet kryqëzimi më i ngarkuar në Tiranë, siç është zona e 5 Majit, ndërtimi i një shkolle të re është super lajm. Ndërtimi i saj ka qenë kërkesë e hershme e Njësisë 8, e cila është rritur shumë vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një shkollë nga kjo anë e unazës dhe një tjetër, shkollën “Kiço Blushi”, në anën e re të Njësisë 8, ku është vendosur popullsia pas viteve ‘90,” u shpreh kryebashkiaku.

Ai nënvizoi faktin se kjo godinë, e cila dikur shërbente si shkollë, nuk u pa kurrë e arsyeshme nga administrata e kaluar për të shërbyer në funksionin e saj, përkundrazi, ambientet e saj u përdorën nga ndërmarrja e Ujësjellësit, e cila sot është zhvendosur.

“Fillimisht zyrat e UKT-së ishin destinuar për shkollë. E dini vetë mentalitetin e Saliut dhe të Lulit - gjej hapësirë dhe improvizo zgjidhje - dhe nuk u bë kurrë shkollë, por u përdor nga UKT-ja për disa vite. Nuk shoh asnjë arsye përse një kompani, si UKT-ja, të zaptojë një shkollë. Kjo është arsyeja përse UKT-në e kemi çuar në një ndërtesë tjetër, teksa ndërtohet zyra e re e UKT-së, kurse këtë hapësirë po e rikthejmë në destinacionin fillestar, e cila ka qenë shkollë. Improvizime “alla Sali”, që kap shkollë dhe ktheje në zyra kompanish, janë një kulturë që i përket të kaluarës. E ardhmja është e fëmijëve, që duhet të kenë hapësirat e tyre, në vendet më të mira, kurse kompanitë, që kanë mundësi të marrin me qira apo të ndërtojnë godinat e tyre, duhet ta bëjnë vetë këtë, në mënyrat që përcakton ligji, dhe jo duke zaptuar një shkollë,” deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Veliaj u shpreh se shkollat janë prioriteti kryesor i bashkisë.

“Është lajm i mirë sepse sa herë hapet një shkollë, mbyllet o një burg, o një televizion trafikantësh, o një portal që vë gjoba. Kur njerëzit dinë, njerëzit bëjnë! Kur njerëzit s’dinë, vënë gjoba, merren me krime, apo përfundojnë në burg. Është një lajm i mirë për gjithë komunitetin e kësaj zone sepse mbyllen gjithë ato veprimtari të tjera të paligjshme dhe të padobishme. Mbaj mend, sa herë kam ardhur këtu, i gjithë tregu në rrugë. Ne nuk mund të kemi edhe treg, edhe shkollë. Nëse ne themi që shkolla është tempulli i dijes, nuk mund të jemi i njëjti komb që thotë “do shtrihemi të gjithë përtokë dhe do shesim presh nëpër shkolla”. Fatmirësisht, njësia ka tregun e saj, edhe në fillim të rrugës, ka edhe Pazarin e Ri; pra në të dy skajet e njësisë ka tregje, ku mund të shesin të moshuarit, fëmijët, mund të shesin fiq, peshk e çfarë të duan, por një metër mbi sipërfaqen e tokës dhe jo në tokë, jo në hapësirat e shkollave, jo në trotuare. Për sa kohë që secili respekton hapësirën e tjetrit dhe jeton edhe ai që do të shesë në treg, edhe ai që do të çojë fëmijën në shkollë, atëherë jemi qytet me norma, qytet perëndimor,” u shpreh Veliaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?