Guvernatori Gent Sejko

Sejko mbledhje online me përfaqësuesen e FMN-së: Pandemia uli konsumin dhe investimet, ekonomia pritet të rritet në 2021

18 Shtator 2020, 09:52| Përditesimi: 18 Shtator 2020, 10:02

  • Share

Guvernatori Sejko ka zhvilluar një mbledhje online me Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë. Gjatë falës së tij, Sejko tha se ekonomia është nën ndikim të fortë nga Pandemia duke sjellë rënie të ndjeshme të konsumit dhe investimeve. Sejko tha se COVID-19 rriti borxhi publik, por bankat janë të stabilizuara. Sipas tij efektet negative po hyjnë në një fazë rikuperimi.

Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme. Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, e cila ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik. Megjithatë, pandemia e gjeti sektorin financiar dhe atë bankar të mirëkapitalizuar e likuid, dhe këto parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm.

Më tej, Guvernatori shtoi se relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa që efekti i pandemisë në ekonomi të vijë progresivisht drejt reduktimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim.

Në përgjigje të kësaj krize, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi. Po ashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të mbetet e angazhuar njëkohësisht edhe në forcimin e mëtejshëm të sistemit financiar, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera relevante rregullatore, si dhe në përafrimin e mëtejshëm të kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe parimet e Komitetit të Bazelit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, ekonomia shqiptare pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.

Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dakordësuan se stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë dhe mbetet një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?