Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa ndryshime për kreditë konsumatore. Siç bëri me dije guvernatori Sejko në konferencën e sotme me gazetarët, BSH ka ulur normat e interest e komisionet për kreditë konsumatore.
Këto ndryshime, të cilat shtojnë kërkesat për mbrojtjen e konsumatorëve, vijnë si reagim i Bankës së Shqipërisë me qëllim reduktimin e mëtejshëm të kostove të huamarrjes për kreditë konsumatore dhe rritjen e transparencës ndaj tyre, veçanërisht për subjektet financiare jobanka.
Sejko tha se janë miratuar ulja e normave të interesit për kreditë konsumatorë dhe për konsumatorët.
“Ndryshimet rregullative kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të normës se interesit për kreditë konsumatore nga institucionet bankare dhe jo bankare dhe gjithashtu për një kufizim të komisioneve për këto kredi”, tha Sejko.
Më konkretisht, BSH shprehet se ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” konsistojnë në reduktimin e kostove të ngarkuara konsumatorit në kontratat e kredisë konsumatore me këste, kryesisht në vlera të vogla. Ndryshimet rishikojnë metodologjinë e Bankës së Shqipërisë për përllogaritjen e NEI-t maksimal për kategorinë e kredisë konsumatore me këste në fashën 0-200.000 lekë, që pritet të rezultojë në një NEI maksimal më të ulët për këtë kategori. Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve është edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.
Nga ana tjetër, ndryshimet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” synojnë rritjen e transparencës ndaj konsumatorëve që në fazën e reklamimit të produkteve e shërbimeve për këta të fundit, nëpërmjet standardizimit të kërkesave për institucionet financiare, dhe duke dalluar sipas tipologjisë së produktit apo shërbimit që po reklamohet. Ndryshimet konsistojnë në parashikimin e elementeve që duhet të përmbajë reklama, sipas produktit që po reklamohet, formave të komunikimit me konsumatorët, si dhe masave që mund të marrë Banka e Shqipërisë për ndalimin apo korrigjimin e reklamës, nëse konstaton shkelje të rregullores.
Lajmi kryesor:
‘Inflacioni vijon rënien’, BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit, mbetet 2.75%! Sejko: Tensionet tregtare të huaja, rrezik për ekonominë
G.K/ReportTv.al