Nga janari në qarkullim kartëmonedhat e serisë së re 500 e 2 mijë lekë! Sejko: Rritja e çmimeve do të vazhdojë dhe në 2022

22 Dhjetor 2021, 16:34| Përditesimi: 22 Dhjetor 2021, 19:02

  • Share

TIRANË- Në konferencën përmbyllëse të vitit 2021, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, njoftoi se në janar do të hidhen në qarkullim edhe 2 kartëmonedhat e serisë së re, 500 e 2.000 lekë.

"Vlen të theksohet se në vitin 2021, kemi prodhuar edhe 2 kartëmonedhat e fundit të serisë, ato me prerje 500 dhe 2000 Lekë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në ditët në vijim, duke realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje. Duke filluar nga data 17 janar 2022, kartëmonedhat e reja do të jenë në duart e publikut dhe do të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e serisë aktuale. Ato janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie", tha Sejko.

Guvernatori është ndalur edhe tek inflacioni, i cili sipas tij do të rritet deri në mesin e vitit të ardhshëm.

“Rritja e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyron kryesisht efektin e rritjes së ndjeshme të çmimeve të ushqimeve, të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore. Kjo goditje pritet ta mbajë inflacionin mbi objektivin tonë gjatë muajve në vijim. Më tej, ne presim ri-ekuilibrimin e raportit kërkesë-ofertë në tregjet botërore, zgjidhjen e problemeve logjistike dhe stabilizimin e çmimit të energjisë”, tha Sejko. 

Sejko pohoi se ekonomia ka performuar pozitivisht gjatë këtij viti, por pohon se normat e rritjes do të jenë më të ulta në vijim.

“Megjithatë, ndërsa efekti i fortë i bazës krahasuese me vitin 2020 do të vijë drejt reduktimit, normat e rritjes ekonomike priten të jenë më të ulëta dhe të luhaten rreth nivelit potencial”, tha Sejko.

Në përfundim guvernatori tha se mbetet e pandryshuar norma bazë e interesit në nivelin më të ulët historik prej 0.5%.

Ndërkohë kujtojmë që 30 shtator të vitit 2019 u hodhën në treg kartëmonedhat 200 dhe 5000 lekë, ndërsa në qershor të vitit 2021 u hodhën në treg dy prerjet e reja të 1.000 lekëshit dhe 10.000 lekëshit. Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit në fushën e prodhimit dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave, me qëllim që ato të jenë më të sigurta, duke ia bërë “më të vështirë jetën” falsifikatorëve.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?