Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington, SHBA.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ndër të tjera zhvilloi edhe një takim me Federico Giammusso, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN.
Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së me zhvillimet ekonomike dhe perspektivat e progresit të mëtejshëm të vendit. Ai u shpreh se, ashtu si vendet e tjera, edhe Shqipëria u prek nga goditjet e pafavorshme ekonomike globale dhe inflacioni i lartë.
“Shqipëria e ka fituar luftën me inflacionin që u shfaq prej fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe tashmë inflacioni është në nivelet më të ulëta, ndërkohë që tregjet financiare paraqiten të qeta, dhe me kapacitet për mbështetjen dhe përparimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Guvernatori Sejko.
Lidhur me politikat makroekonomike, Guvernatori theksoi se ato do të jenë të harmonizuara me synim sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme në periudhën afatmesme.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së përgëzuan Shqipërinë për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.
Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithëpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit. Ata gjithashtu u ndalën në vlerësimin e përmirësuar nga Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, e cila e rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, duke e konsideruar në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive.
Në vlerësim i veçantë u shpreh nga ana e tyre edhe për reformat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend dhe stabilitetit të çmimeve, të cilat sipas përfaqësuesve të këtyre institucioneve mbeten mandati dhe objektivi kryesor i Bankës.
Interesit të përfaqësuesve të FMN-së dhe BB-së për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar, Guvernatori Sejko iu përgjigj se ai paraqitet i qëndrueshëm, me nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Kreditimi në ekonomi është rritur konsiderueshëm vitet e fundit - me një rritje prej 17% në 2024 krahasuar me vitin e kaluar - duke kontribuuar kështu në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së inkurajuan monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit. Ata e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke u ndalur në veçanti te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv.
Së fundi, ata u ndalën në rëndësinë e harmonizimit dhe koordinimit të politikave, si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, si parakusht për të siguruar një mjedis optimal për një ekonomi të qëndrueshme.