Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përgëzuar Kosovën në përvjetorin e 12-të të pavarësisë së saj, duke thënë se sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, thuhet se Shtetet e Bashkuara janë të motivuara nga ngjarjet e fundit, që janë shenjë e lehtësimit të investimeve, turizmit, tregtisë dhe lidhjeve me Serbinë.
Me këtë rast, Pompeo, duket se u është referuar marrëveshjeve të arritura mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për vendosjen e linjave ajrore dhe atyre hekurudhore në mes të të dyja vendeve.
Nënshkrimi i marrëveshjeve është lehtësuar nga ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell.
Sipas Pompeos, këto zhvillime shtrojnë rrugën për përparim më të madh në normalizim të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt.
Sekretari amerikan ka përmendur edhe gatishmërinë e SHBA-së për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën.
“Për më shumë se një dekadë, të dyja shtetet kanë gëzuar lidhje të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë në fuqizim të sundimit të ligjit, luftim të korrupsionit dhe nxitjes së begatisë ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është thënë në komunikatë.
Statusi:
Në emër të populli dhe qeverisë së SHBA-së, uroj Kosovës teksa feston ditën e pavarësisë. Për më shumë se një dekadë, dy vendet tona kanë gëzuar një marrëdhënie të bazuar në vlera të përbashkëta. Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbetet kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimore.
SHBA mbështet Kosovën në rrugën drejt integrimit në institucionet euroatlantike dhe do të vazhdojë që të punojë për mbështetjen e ligjit, luftën nga korrupsionit dhe për rritjen e mirëqenies ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të qeverisë, Kosova ka një mundësi të re për të përmbushur potencialin e saj të plotë, si për qytetarët e vet si dhe për marrëdhëniet me vendet fqinje.
Jemi inkurajuar nga ndodhitë e fundit të cilat sinjalizojnë një lëvizje kundrejt lehtësimit të investimeve, turizmit, tregtisë dhe marrëdhënieve njerëzore me Serbinë, çka do të shtojë themelet për një progres të mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve në të ardhmen.
I shprehim urimet më të përzemërta popullit të Kosovës dhe presim që të ndërtojmë mbi energjinë e momentit në javët dhe muajt në vazhdim
Lajmi kryesor: