Deklaratat për shqiptarët/ Sekretari i Jashtëm i Britanisë tregon bisedën me Ramën: Shumë emigrantë rrezikojnë veten në duart e trafikantëve

4 Nëntor 2022, 22:27| Përditesimi: 5 Nëntor 2022, 14:18

  • Share

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe James Cleverly ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Edi Rama, e cila vjen pas qëndrimit të ashpër të këtij të fundit ndaj deklaratave të Sekretares së Brendshme Suella Braverman në lidhje me emigrimin e shqiptarëve në Angli.

Lajmi mbi bisedën u bë i ditur nga media britanike “ The Independent”.  Cleverly, duke folur nga një takim i ministrave të jashtëm të G7 në Gjermani, i tha agjencisë së lajmeve PA se ata e kishin diskutuar këtë çështje kur ai foli me kryeministrin Rama gjatë javës.

“Ne folëm për gjërat për të cilat ka folur Sekretarja e Brendshëm, që është një numër shumë i konsiderueshëm i shqiptarëve që rrezikojnë veten e tyre në duart e trafikantëve. Sigurisht që kemi diskutuar situatën dhe bisedat që janë bërë nga të dyja palët. Përfundimi është se unë dhe kryeministri patëm një bisedë shumë të mirë, një bisedë shumë miqësore dhe për shkak se kemi një marrëdhënie shumë të mirë pune, unë dhe ai patëm një bisedë të sinqertë”, është shprehur Cleverly.

Ndërkohë më herët, Downing Street këmbënguli se emigrantët “meritojnë të trajtohen me dhembshuri dhe respekt”.

Rreth 40,000 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kanë kaluar Kanalin deri më tani këtë vit. Por asnjë kalim nuk është regjistruar nga Ministria e Mbrojtjes (MM) gjatë tre ditëve të fundit. Totali i përkohshëm deri më sot për vitin 2022 është 39,913

Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman e cilësoi si ‘pushtim’ nga shqiptarët që përshkojnë me varka kanalin e Lamanshit. Ajo shtoi se për këtë problematikë shumë të madhe duhet të gjendej një zgjidhje.

Pikërisht për këto akuza, kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke dhënë shifra e duke thënë se shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Ai kritikoi qëndrimin e Britanisë, sipas së cilit po përdor një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit.

Pas deklaratës së Kryeministrit i janë përgjigjur dy zyrtarë të lartë të Britanisë së Madhe të cilët zbutën tonet ndaj qeverisë shqiptare dhe shprehën mirënjohjen e tyre për bashkëpunimin me Shqipërinë. Ministri i klimës në Britaninë e Madhe, u përpoq të riparonte marrëdhëniet teksa shprehu mirënjohjen e qeverisë për Shqipërinë. Po ashtu, një reagim tjetër erdhi edhe nga zëdhënësja e qeverisë britanike e cila theksoi bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar me Shqipërinë.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?