Pentagoni bëri të ditur se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Andrei Belousov, lidhur me rëndësinë e mbajtjes hapur të linjave të komunikimit.
Ky është komunikimi i parë në më shumë se një vit në këto nivele zyrtarësh mes SHBA dhe Rusisë. Reuters bën të ditur se palët ofruan vështrime të ndryshme lidhur me bisedën telefonike. Sipas zëdhënsit për shtyp të Pentagonit gjeneral patrik Ryder zhvillimi i bisedës u nxit nga Austin
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se zoti Belousov e paralajmëroi Sekretarin Austin për rrezikun e vazhdimit të furnizimit të Ukrainës me armë amerikane në konfliktin 28-mujor me Rusinë.
“Belousov vuri në dukje rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës përmes furnizimit të vazhdueshëm të ushtrisë ukrainase me armë amerikane”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, aneksimi i katër prej rajoneve të saj dhe përparimet e ngadalshme në pjesën lindore, i kanë dëmtuar marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin, niveli më i ulët që nga kriza e vendosjes së raketave ruse në Kubë në vitin 1962.
Moska tha gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara ishin përgjegjëse për një sulm ukrainas në gadishullin e Krimesë, me pesë raketa të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, ku u vranë katër persona.Furnizimi i Ukrainës me armë amerikane rifilloi në muajin prill pas miratimit nga Kongresi të një pakete ndihme prej 61 miliardë dollarësh.
Shtetet e Bashkuara thonë se i mbështesin kërkesat e Ukrainës për tërheqjen e trupave ruse dhe respektimin e kufijve të vendosur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Gjatë bisedës së Sekretarit Austin në vitin 2023 me shefin e atëhershëm të mbrojtjes ruse, Sergei Shoigu, shefi i Pentagonit tha se i kishte komunikuar homologut rus sjelljen e rrezikshme të pilotëve luftarakë rusë që shkaktuan rrëzimin e një droni amerikan në Detin e Zi afër Ukrainës.