Dosja e inceneratorëve, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi 3 orë në SPAK: Të gjithë duhet të jemi në dispozicion të drejtësisë

17 Maj, 13:39| Përditesimi: 17 Maj, 22:51

  • Share

TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi u paraqitet sot në SPAK për tu marrë në pyetje si person që ka dijeni në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Ai ka qëndruar mbi 3 orë në SPAK (Ora 10:00 - 13:30) për të dhënë shpjegime rreth procedurave të ndjekura nga qeveria, për miratimin fillimisht të bonusit kompanisë që mori përsipër ndërtimin e inceneratorit, e më pas dhe të kontratës.

''U thirrja si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se tashmë ky nuk duhet të krijojë një lajm. Të gjithë duhet të jemi në dispozicion e funksion të organeve të drejtësisë. Faleminderit!”, tha ai pasi doli nga SPAK

Kjo është hera e dytë që Agaçi thirret në SPAK për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Po sot në SPAK ishte dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako. Ajo ishte e pashoqëruar nga avokat dhe ishte në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e faktit. 

'Isha thirrur sot nga SPAK për një çështje në hetim. Më është kërkuar të ruaj sekretin hetimor por nuk ka lidhje me funksionin tim si kryetare bashkie', tha Sako pasi doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme.

Sako nuk i përgjigj gazetarëve nëse në SPAK ishte thirrur për dosjen e inceneratorit të Tiranës. 

Ndërkohë më 15 maj 2024 Zv.kryeministrja Belinda Balluku dëshmoi për tre orë në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër te hetimeve që po kryhen për inceneratorin e Tiranës. Balluku pas daljes nga SPAK tha se shpresonte që dëshmia e saj të ketë shërbyer për zbardhjen e kësaj dosje, në mënyrë që të vendoset drejtësi.

Në fund të muajit prill, edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, për afro 8 orë në SPAK  dha dëshminë si person që ka dijeni për çështjen. Në dalje, Veliaj u shpreh për gazetarët se kishte shkuar në cilësinë e bashkëpunëtorit e si i tillë kishte dhënë të gjitha shpjegimet e duhura, deri në nivel ezaurues. 

Hetimi për inceneratorin e Tiranës po zgjasin prej 4 vitesh.

Sipas SPAK Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ishin pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 fitoi kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH. 

Në dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes të arrestuarve është dhe emri i Taulant Tushes, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës. Urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte Menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes. Urdhërat e arrestit prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit në kërkim Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.Ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. 

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?