Sekretarja e Brendshme e Britanisë është zotuar se do të bëjë të pamundurën që të ndalë gomonet që kalojnë kanalin e La Manshit dhe do të gjejë një mënyrë që të funksionojë skema e Ruandës (të kthehen mbrapa në vendin e tyre ose të shkojnë në shtetin e Afrikës Lindore).
Suella Braverman, në fjalimin e saj në konferencën e partisë Konservatore që po zhvillohet aktualisht në Birmingham, premtoi se do të ndalonte kalimet e paligjshme të emigrantëve.
"Duhet të ndalojmë anijet që kalojnë Kanalin e La Manshit. Kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë. Por duhet të jem i drejtë me ju, nuk ka zgjidhje të shpejta. Problemi është kronik. Bandat e organizuara kriminale po u shesin gënjeshtra mijëra njerëzve. Shumë po mbyten në Kanalin e La Manshit. Shumë njerëz zgjedhin të largohen nga një vend i sigurt si Franca dhe po abuzojnë me sistemin tonë të azilit”, tha Braverman.
Sekretarja e brendshme britanike shtoi se do të punojë ngushtë me Francë kundër bandave kriminale që kontrabandojnë njerëz për në Britani.
"Nuk është raciste që të dëshirosh të kontrollosh kufijtë," tha zonja Braverman.
Sekretari i Brendshëm shtoi se për të parandaluar emigrimin e paligjshëm duhet të gjejnë një mënyrë që skema e Ruandës të funksionojë në mënyrë që emigrantët të jenë të bindur se cfarë përgjigje do të marrin sapo të kalojnë Kanalin e La Manshit. Braverman tha se shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë "pavarësisht se kanë paguar mijëra paund për të ardhur këtu, ose kanë bërë me dëshirë një udhëtim të rrezikshëm përtej Kanalit".
Ajo tha se shumë nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre për trafikim janë gënjeshtra.
Në një intervistë për 'Daily Telegraph', u shpreh se asnjë emigrant që kalon kanalin e La Manshit nuk do të ketë mundësi që të kërkojë azil. Ndër të tjera tha se Shqipëria kryeson listën pasi 18% e klandestinëve që kanë shkuar këtë vit në rrugë ilegale në Angli kanë qenë shqiptarë, 18% nga Afganistani dhe 15% nga Irani.