Kultura

'Sekretet' 8000-vjeçare të Linit, arkeologu për Report Tv: Janë zbuluar 3 gardhe të mëdha e shtëpi banimi, në një sipërfaqe prej 6 hektarë

20 Korrik, 17:58| Përditesimi: 20 Korrik, 21:36

  • Share

3 vendbanime palafite që i përkasin periudhës 8 mijë vite deri në 4 mijë vite para erës sonë, janë zbuluar në Lin të Pogradecit, duke e dokumentuar këtë zonë si më të vjetrën në kontinent.

Në një intervistë për Report Tv, arkeologu Adrian Anastasi, i cili ka qenë pjesë e gërmimeve së bashku me një grup ekspertësh zviceranë, jep detaje të objekteve të zbuluara dhe vlerat që bartin në historinë e arkeologjisë.

‘Kemi zbuluar 3 rrethime të mëdha që janë nga më të mirat të dokumentuara. Kjo është me interes në botën shkencore. Mos harrojmë se nuk është i vetmi palafit që është në studim, por ka edhe të tjera të Bunacesit dhe Maliqit. Këto duan kohën e tyre për të arritur në konkluzione dhe në studime dhe ne mezi po presim vjeshtën kur vijnë edhe rezultatet e analizave.

Janë evidentuar qeramikë e pasur, vegla pune kocke e guri, ka prani të bollshme të kockave të kafshëve e shpendëve dhe mbetje peshku, ka rrjeta peshku të gjetura. Kemi gjetur në 2022 edhe një mjet lundrues Piroga, 5300 para Krishtit. Specialistët po i studiojnë me universitetin e Bernës ndaj studimet e kërkimit. Po ndërtojmë sekuenca që do kalibrojnë edhe zbulime të tjera. Marzhi i gabimit është një vit, që tregon një arritje të jashtëzakonshme’, tha ai.

Vendbanimet e zbuluara përgjatë 4 viteve, shtrihen në një sipërfaqe rreth 6 hektarë, ndërsa banorët e periudhës së neolitit, sipas Anastasit kishin instinkt mjaft të mirë mbijetese.

“Rreth 6 hektarë sipërfaqja e vendbanimit që i përket viteve deri në 8 mijë vjet para Krishtit. Jemi mes dy neoliteve. Ishin njohës të mirë të ujit, dinin të peshkonin mirë me rrjeta. kanë qenë komunitete mjaft inteligjente, bazoheshin në burimet natyrorë dhe bazoheshin edhe në rezervat ushqimore nga bujqësia dhe blegtoria', tha ai. 

Synimi sipas tij është për identifikimi i vendbanimeve të reja palafite.

“Nuk është synimi ynë të gërmojmë 6 ha sipërfaqe. Synimi ynë të zbulojmë sa më pak sitin, dhe të marrim sa më shumë informacione. Duam të kapim fillesën e vendosjes së këtyre komuniteteve. në 4 vite kemi identifikuar 3 vendbanime. mund të kapim edhe vendbanime të tjera. në modelin e tij, si vendbanime palafite, është vendbanimi më i vjetër në Evropë', tha ai. 

Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?