Sekretet strategjike të Bazës Ajrore të Kuçovës, Esencë-Report Tv

8 Mars, 21:55| Përditesimi: 8 Mars, 22:11

  • Share

Të ftuar përballë pyetjeve dhe kureshtjeve të Eljan Taninit në Esencë, ishin ish pilotët: Bilal Sina, Rafael Bulgareci, Petrit Bebeçi dhe Delo Isufi. Emisioni Esencë shfaqet çdo të premte dhe të diel, ora 21:00 në ekranin e Report Tv.  

Eljan Tanini: -Si e mbani mend Bazën e Kuçovës?

Bilal Sina: -Baza Ajrore e Kuçovës për herë të parë është inaguruar më 15 Maj 1954, mori emrin ‘’Regjimenti 23  Bombardues Peza’’. Kështu u gjykua për atë emër. Fluturonim edhe katër herë në javë, me Mig 15, 17 dhe Mig 19. U inagurua prapë më 4 Mars, disa ditë më parë. Do më vinte mirë që këto fluturime ti bënin djemtë shqiptarë. Fatkeqësi që shkolla jona është mbyllur, si marina dhe aviacioni. Të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet nuk menduan fare të zhvillonin më tej aviacionin tone. Organet qendrore mund të rihapnin shkollën e aviacionit për veprime të tjera. Kam fluturuar për herë të parë në maj të vitit 1964. Bilal Sina: -Mosha e instruktorëve tanë ishte sa e jona, pak a shumë. Kur kemi ikur në 90, ishin 100 e kusur pilotë. Sot ka ende pedagogë që mund të shërbejnë shumë mirë për Aviacionin Shqiptar.

Rafael Bulgareci: -Në fillim kemi fluturuar me avionë Jak me helikë, më pas kaluam atje ku sot po bëhet Aeroporti i Vlorës. Kam fluturuar për herë të parë me avion mësimor, maj 1963.

Eljan Tanini: -Migu 21, ka qendruar në Kuçovë?

Bilal Sina: -Ka fluturuar në Bazën Ajrore të Kuçovës, por nuk është se ka banuar atje, nuk e kishte bazën aty. Vinte nga Rinasi si fillim dhe nga Gjadri.

Eljan Tanini: -Ju zoti Sina, me cilët avionë keni fluturuar?

Bilal Sina: -Me Jak 18 i thjeshtë, tip 61, Mig 15, Mig 17 dhe Mig  19.

Rafael Bulgareci: -Edhe unë ashtu, kam shkuar deri te Mig 19.

Eljan Tanini: -Një aviator, në cilën moshë del në pension?

Bilal Sina: -Në atë kohë ka qenë 50 vjeç.

Eljan Tanini: -Sa fluturime bënit në ditë?

Rafael Bulgareci: -Ne kemi bërë edhe 6 fluturime në ditë, që për kohën janë shumë.

Bilal Sina: -Ne i kemi bërë të gjitha detyrat. Qitje, kapje ushtarake, bombardimet, luftime ajrore etj... Nga lartësia 18  mijë m e poshtë.

Eljan Tanini: -Kur je në lartësinë 18 mijë metra, bota si duket, e sheshtë apo e rrumbullakët?

Bilal Sina: -Horizonti duket gjithmonë. Toka nuk është më e sheshtë, e rrumbullakët.

Eljan Tanini: -Jashtë si keni qenë?

Rafael Bulgareci: -Po, kemi qenë në Kinë për Mig 19. Viti 70-71. Këta janë aeroplanë që e kalojnë shpejtësinë e zërit, supersonik.

Bilal Sina: -Kemi qenë në Kinë për kalimet e motorrit, kalimet e fuqisë. Janë avionë që e kalojnë shpejtësinë e zërit. Nëse fluturon në lartësi të ulët thyhen xhamat, larg qoftë mund të ketë edhe gra shtatzëna që mund të dështojnë në muajin e 7 e të 8. Bëhet shkëputje nga rrymat e ajrit. Ka shpejtësi më shumë se 1230 km. Shkon më shumë se 1400-1500. Ndërsa MIG 21 e kalon shpejtësinë 2000 km.

Eljan Tanini: -Sa litra karburant mbajnë këto avionë?

Rafael Bulgareci: -Mbajnë nga 600 L. Shkon rreth 3000 litra, mbushej me karburantin e Ballshit. Kishim detyra të caktuara, edhe ato në bazë të shpejtësisë së zerit, ishin të shkruara në letër.

Bilal Sina: -Përgatiteshim një ditë më pare.

Eljan Tanini: Kur bëhen këto fluturime, sa kohë keni qendruar zakonisht në ajër?

Bilal Sina: -Zakonisht 25-30 min, e përshkruan Shqipërinë disa herë. Puna jonë ishte kënaqësi.

Rafael Bulgareci: -Kam dalë në pension të parakohshëm. Ne krahasim me të tjerët jemi mirë. Kam fluturuar vetëm nga Baza e Kuçovës.

Eljan Tanini: -Sa e kishte rrogën një aviator si ju në atë kohë?

Rafael Bulgareci: -Unë e kam nisur rrogën me 8 mijë L në atë kohë, kam shkuar deri gati në 11 mijë L.

Eljan Tanini: -Pensionin sa e keni sot?

Rafael Bulgareci: -Sot pensionin e kam gati 550 mijë L.

Eljan Tanini: -Kam dëgjuar që hanit shumë çokollata?

Bilal Sina: -E kishim në normë çokollatën. I ruanim për fëmijët.

Eljan Tanini: -Çfarë gjërash të veçanta kishte baza brenda saj?

Bilal Sina: -Kishte strehimin e aeroplanëve, në tunele brenda, me të gjitha orenditë, fjetje, kuzhine. Në bazë rrinin jo më pak se 200 veta. Nëntoka ishte në kodër, përballë, në të majtë të pistës.

Eljan Tanini: -Avionët që kemi marrë, që keni blerë nga Rusi dhe kinezi, kanë qenë të përdorura?

Bilal Sina: -Gjoja ishin të falura, se nuk të falte njeri. Një helikopter që porositëm ne, vajti nga 2 milionë dollarë në 8 milionë dollarë, aq shumë shkoi.

Eljan Tanini: -Këto avionë që ne i nxorëm jashtë funksionit, do e bënin ende punën e tyre?

Rafael Bulgareci: -Duhet parë mirë kontrolli i tyre. I kishim të gjitha mjetet.

Bilal Sina: -Ne i kishim të gjitha, bënim kapital të mesëm dhe të plotë të avionëve, edhe të motorrëve, bankoprovat që masin parametrat e motorrëve. Më shumë kujdeseshim për aeroplanët, se për fëmijët tanë. Kur dola jo i aftë për punë, kur nuk fluturoja më për arsye shëndeti, une i shikoja inxhinierët poshtë në bazë të shqetësuar, të emocionuar përballë ankthit për avionin dhe avaritë që dilnin. Po ta shohësh me numrin e fluturimeve, aviacioni është më i sigurtë. Kam qenë me shpejtësi 700 km në orë, lartësia rreth 5900 metra, motorri i avionit tim u fik. Dëgjova kërcitje të vogël në lartësinë 4500 m, përfundova në dridhje. Mund të merrte zjarr avioni. Kam qenë në lartësine 5000 e ca metra në jug të Malit të Tomorrit. Në 11 minuta, kam bërë rreth 50-60 km me motorr të fikur.

Eljan Tanini: -Di që erdhi tersi nga të gjitha anët?

Bilal Sina: -Kam bërë katër ndezje në ajër. Më thanë të hidhesha me katapult. Ishte bllokuar çdo gjë. Bateritë ranë, radio nuk kishte më korent, u ktheja përgjigje por ata s’më dëgjonin mua.

Rafael Bulgareci: -Në tokë e kemi provuar të lëshohemi, 15-20 m nga katapulta.

Bilal Sina: -Pashë aerodromin ku kisha fluturuar në shkollë, pastaj pashë Tomorrin, kthehem nga Kuçova, fluturova mbi Kombinatin Mao Ce Dun ne Berat, hapa rrotën por nuk përgjigjej. Rrota e parë përpara nuk u hap, anësoret po. Treguesi mekanik tregonte pak gjë. Kam bërë një ulje që edhe sot ndoshta nuk e bëj dot. Viza e majës së avionit la një gjurmë per gati 2 vjet në tokë. Kur desha te dilja nga kabina, ajo nuk po hapej. Jam dekoruar me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Parë. Është bërë edhe film historia ime. Filmi Gjurmë në Kaltërsi. Kemi pasur kujdes nga shteti, edhe nga vetja jonë.

Eljan Tanini: -A abuzonit përpara fluturimit?

Bilal Sina: -Jo kurrë, madje edhe na spiunonin për mirë

Rafael Bulgareci: -Babaçe Faiku, kishte meritë të madhe për krijimin e Aviacionit Shqiptar. Kam një peng. Shteti shqiptar duhet të krijojë kushte për ngritjen e një shkolle fillestare që rinia ti afrohet aviacionit, qoftë edhe për një sektor të thjeshtë. Peng kam që nuk fluturova dot edhe më shumë. Mua më kanë hequr me padrejtësi. Nuk e mora vesh fare si më hoqën nga puna, kisha bërë shkollë ushtarake. Një natë ishim në punë, ditën tjetër më hoqën nga puna.

Bilal Sina: -Demokracia na shmangu shumë, ishim në moshën tonë më të mirë. Më hoqën qafe direkt, ishte antireformë. U vunë njerëz pa përvojë. Dola nga aviacioni me femijet e vegjël, dola në treg të shisja priza të vjetra, të reja etj…

Petrit Bebeçi: -Kam fluturuar në të tre aerodromet e Shqipërisë. Ne kemi qenë një grup i shkëlqyer, 12 vajtën nga ne Kuçovë, dhe 8 nga ne vajtën në Rinas. Kemi fluturuar me MIG 17, më pas me MIG 18 DHE ME MIG 19, NGA 8 vetë ngelëm 4. Me numër 3 përpara avionët ishin nga Rinasi, me nr 4 nga Kuçova. Vemi në Kinë, unë dhe Vangjel Koroveshi, ishin pilota me klasa të caktuara. Në Kinë jemi takuar edhe me Cu En Lain. Në fillim provuam Mig 15. Mua dhe kolegut kinezët na thanë që kemi shumë pak orë për fluturim. Përgjegjës kishim Babaçe Faikun. U revoltuam se përse na jepnin fluturime vetëm me MIG 15. Ne ngulmuam ose me MIG 21, ose fare. Por kjo çonte në prishje të lidhjeve diplomatike. Na bënin kontroll se sa do të duronim deri në fund, kur po binte sasia e karburantit. Karburanti vajti nga 200, 100 por ishte problem. Jemi ulur me 30 L në tokë. Qëllimi ishte që ne do të na zinte paniku apo jo, nëse po, hiqeshim direkt

Delo Isufi: -Këtu duhet të ishin pedagogët tanë, këtu para nesh. Komandantët etj… Kur mbarova shkollën, më caktuan në Kuçovë, kam qenë edhe pedagog. Kemi përfunduar në kanal në Perondi kur nuk u hap rrota e majtë e avionit, thyer brinjët etj… Shoku më tha: Hiq dorë nga aviacioni prej plagosjes. Une e mora inat. Kam qenë komandant ketërshe. Do të vijë koha kur ne të kemi edhe pilotët shqiptarë. Është meritë e madhe që u vendos Nato tani në Kuçovë. Kuçova ka një aerodrom tepër strategjik. Nuk ka mjegull, nuk ka re sepse ato shkojnë në Tomorr, nuk ka erë anësore. Është një zonë që nuk ka ndryshime presionesh ajri, ndryshe nga Rinasi që ka shumë presione ajri. Ka një mbrojtje natyre, është vend strategjik. Mundësia e rrezes taktike është e gjerë.

Petrit Bebeçi: -Në fillim kemi fluturuar në pistën e pashtruar. Kemi fluturuar katër herë në javë, qitje ajrore, sulme ajrore, kemi bërë qitje natën, ato bëheshin në Divjakë ku kishim poligonet

Eljan Tanini: -Natën si shikonit? Kush i rregullonte këto avionë?

Delo Isufi: -Vendoseshin kuti me benzinë që bënin zjarr.

Petrit Bebeçi: -Kam bërë kontroll të Migut 21 në ajër, pa teknologji. Inxhinierët tanë e kanë bërë teknologjinë shqiptare për avionët. Kemi fluturuar edhe në shpejtësinë 2150 km në orë. Kishim shumë materiale rezervë, Migu 21 është hapur në mbi 2000 pjesë, zbërthyer.

Delo Isufi: -Riparimi bëhej në bazë rezervash të medha, me motorrë një ose dy të tillë. Kemi pasur edhe ofiçina për rregullime të caktuara. Ishte edhe punë vetëmohuese.

Petrit Bebeçi: -Mig 15 kanë ardhur këtu në vitin 1955, rusët i ulën në Kuçovë. Në vitin 1965 marrim Mig 19. Kishim 12 mig 19 kapës të modifikuar me kater raketa, nuk u përdorën shumë. Vinin kinezët, erdhën 6 muaj këtu, nuk na dhanë më shumë gjëra. Deri në vitin 1969 kemi blerë avionë Mig 21, 12 copë. Më pas jo. Avionë supersonik kishim 115 copë avionë.  

Delo Isufi: -Ka qenë kohë vetëmohimi, unë kam fluturuar për herë të fundit 48 vjec, në vitin 1982. Na dukej çdo gjë e thjeshtë, ishte e kaluar e bukur. Sistemin e parë nuk e sollëm ne, sistemin e dytë po. Kuçova është vend strategjik, kur vajtëm ne fillim ishte hapësirë e vogël. Është emblemë e fillimeve të aviacionit shqiptar. Dimrit atë e kishim strehë. Në fillim pista ka qenë 1200 m, me 60 m në fillim, me beton.

E.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?