Sekuestrimi i 34 pasurive, familjarët e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt ankimojnë vendimin e GJKKO

7 Mars 2023, 12:06| Përditesimi: 7 Mars 2023, 16:53

  • Share

Familjarët e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj kanë ankimuar vendimin e GJKKO për sekuestrimin  e 34 pasurive në emër të tij. Të shumëkërkuarit i janë sekuestruar 34 pasuri më 15 shkurt.  Pjesa më e madhe e tyre ishte vënë  në emër të prindërve, motrave dhe gruas.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka regjistruar çështjen nr. 48 akti, datë 07.03.2023, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit A.K., D.K., D.M., E.M., E.M., F.V., M.M., R.M., V.M., ndaj vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka disponuar mbi sekuestrimin e disa pasurive.- thuhet në njoftim.

Kujtojmë se 34 pasuri të ‘mbretit të kumarit’ Ervis Martinaj janë vënë nën sekuestro pas vendimit të GJKKO. Policia dhe SPAK kanë ekzekutuar vendimin për sekuestrimin e 34 pasurive të Martinaj dhe familjarëve të tij, pasi dyshohen se janë vënë përmes veprimtarisë kriminale. Kontrollet janë ushtruar në Kurbin e Fushë-Milot, aty ku janë sekuestruar edhe pjesa më e madhe e pasurive, pasi kjo është edhe zona e cila kontrollohej nga Martinaj dhe ‘ushtarët’ e tij. Hetimi po vijon për të vërtetuar nëse Martinaj ka pasuri të fshehura apo të regjistruara në emra të miqve të tij. Vendimi, i siguruar eksklusivisht nga Shqiptarja.com, është firmosur nga gjyqtari Erjon Bani më 21 janar, por ekzekutimi është bërë sot (15 shkurt). Vlera e pasurive të sekuestruara llogaritet disa milionë euro.

Ndër pasuritë e sekuestruara janë disa biznese në emër të Martianajt, disa në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër më e madhe janë në emër të prindërve Mustafa dhe Vasilika, motrave Erjona dhe Drenica, si edhe në emër të bashkëshortes së tij Roberta Martinaj. Disa pasuri janë në emër të bashkëpunëtorëve të Martinajt apo familjarëve të tyre, siç është rasti i Bisere Hato, mamaja e njërit prej miqve të Ervis Martinaj Eljon Hato, i cili mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal "Monopol" në 'Ish Bllok' ku u vra Fabiol Gaxha.

Shqiptarja.com ka siguruar ekskluzivisht edhe vendimin e GJKKO, për pranimin e sekuestros së pasurive Martianjt, i cili rezulton i zhdukur prej më shumë se 6 muajsh. Sekuestrimi i këtyre pasurive vjen në kuadër të hetimeve të dosjes ‘Plumbi i Artë’, në të cilin Martinaj përmendet nga i penduari drejtësisë Nuredin Dumani se ka qenë gati të paguajë 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles. Në vendimin e GJKKO që siguroi Shqiptarja.com thuhet se përpjekja për vrasjen e Dokles nuk ka mbetur vetë në kuadër të dëshmisë së Dumanit, por SPAK ka arritur të mbledhë fakte për të pasur dyshime që Martianj ka pasur qëllim vrasjen e Dokles.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?