Në 400 thasët me pleh kimik të Frakullës ishin 485.5 kg kokainë. Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, ka siguruar akt ekspertimin e Prokurorisë së Posaçme për drogën e sekuestruar në banesën e ish kryekomunarit të Frakullës Viktor Çervenakut, shtëpi e kthyer në laborator droge. Sipas akt-ekspertimit që disponon Report TV, rezulton se në 485.5 kg kokainë ishte e përzier me plehun në thasët që vinin nga Kolumbia në Mal të Zi për tu depozituar në laborator në Frakull të Madhe të Fierit.
Ky dokument hedh poshtë pretendimet e mbrojtësve të të arrestuarve të cilët thanë publikisht se klientët e tyre kishin porositur vetëm pleh kimik dhe prania e kokainës nuk ishte e vërtetuar, pavarësisht se analizat e kryera më parë në Mal të Zi vërtetonin të kundërtën.
Report Tv më herët ka publikuar edhe dosjen e Prokurorisë së Posaçme të paraqitur në gjykatë për caktimin e masave te sigurisë për 10 të të arrestuarit, ku është zbardhur roli i secilit prej tyre shoqëruar edhe me përgjime ambientale dhe telefonike. Nikolin Gjolena, i njohur Niko Lushnjari, cilësohet si personi kyç i trafikimit të kokainës nga Kolumbia në Frakull të madhe të Fierit. Aktualisht 10 të arrestuarit janë ne qeli me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili është ankimuar nga avokatët me pretendimin se të arrestuarit nuk kanë lidhje me këtë trafik.
Laboratori i drogës në Fier u zbulua pasditen e 24 nëntorit , ku u sekuestrua edhe 485.5 kg kokainë, që nëse do të dilte në treg do të kushtonte 40 mln euro. Laboratori u zbulua, përmes një operacioni të DEA-s Amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik u porosit nga vëllai i ish-kryekomunarit të Frakullës, Viktor Çervanaku. Droga u nis nga Kolumbia në maj dhe mbërriti në Shqipëri me kamion nga Mali i Zi në shtator. Në pranga ka rënë Zenel Çervenaku bashkë me 9 të tjerë, të akuzuar për “grup të strukturuar kriminal”, e ndërsa 1 tjetër është në kërkim. Për laboratorin e kokainës u arrestuan, Viktor Çervenaku, Zenel Çervenaku, Denilson Çervinaku, Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni, Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi, Marildo Rona.
Në burg apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për të lënë në burg 5 personat e akuzuar për laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, Bledar Matoshin, Redion Meshin, Julian Malajn, Enxhi Ferhatin dhe Klajdi Vrionin (Kodrën).