Foto ilustruese

Kronikë

Sekuestrohen 276 ha tokë në Fier, Prokuroria: U përfitua me dokumente false, vendimi për pronësinë u firmos për ditë të diele në 1999

8 Korrik, 14:33| Përditesimi: 8 Korrik, 15:09

  • Share

FIER- Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 276 hektarë tokë, e cila dyshohet se është përfituar me dokumente te falsifikuara. Toka ndodhet në fshatin Hasturkas, njësia administrative Libofshë, ndërsa Prokuroria e Fierit thotë se ka nisur hetimet për dy vepra penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’. 

Hetimet kanë zbuluar se personi me inicialet T.Zh. ka përfituar tokën përmes dokumenteve të falsifikuara dhe pasuria është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit. Nga hetimet, ka rezultuar se personi T.Zh. ka përfituar tokën duke përdorur një një vendim të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë të lëshuar në vitin 1999, ku nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve.

Për më tepër, ka rezultuar se vendimi i datës 26 shtator 1999 rezulton të jetë marrë përpara se të paraqitej kërkesa për pronësim, dhe përkon me një ditë të diele, një ditë zyrtare pushimi. Pasuria në fjalë, sipas prokurorisë, më pas është ndarë me kontrata shitjeje dhe dhurimi.

"Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet e falsifikuar: Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier.  Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.", njofton Prokuroria.
 

Njoftimi i plotë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestroi një pasuri të paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, parashikuar nga neni 287 dhe 186 i Kodit Penal. 

Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.1419, datë 24.10.2019, rezultoi se shtetasi T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar “Vendimi nr.249, datë 22.02.2008”, etj, të ish Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë e llojit ‘kullotë’ dhe “pyll”, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.

Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999, të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit). 

Gjithashtu rezulton se vendimi nr.5, datë 26.09.1999, i ish Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. 

Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet e falsifikuar:
-    Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier. 

 Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.
Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminale, si dhe sekuestrimit/konfiskimit të produkteve të veprave penale.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Petriti: 08/07/2025 17:00

    Gjynaf se këtu kishe goxha tokë dhe Skënder Damini ai ish gjykatesi gjobvënës

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?