Arrestohen tre persona në Durrës të cilët u kapën me një sasi tritoli dhe armatime në automjet. Gjatë kontrollit të një automjeti tip “Land-Rover Frilander” tek ‘Mbikalimi i Shkozetit’ policia e Durrësit gjeti dhe sekuestroi në total 3.4 kg lëndë eksploziv.
Më konkretisht, 1.2 kg eksploziv C-4, 2.2 kg tritol, 3 granata dore luftarake dhe 4 aparate telefoni celular. Si pasojë, Barim Flora, 42 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje, Ardjan Gjoka, 33 vjeç, dhe Jemin Flora, 33 vjeç, kanë rënë në prangat e policisë në Durrës.
Blutë e Durrësit njoftojnë se po në funksion të këtij procedimit penal, i cili është nisur një muaj më pare, janë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak. Hetimet vazhdojnë nga organi i akuzës, për të kuptuar mbi destinacionin final të sasive të eksplozivit.
Sipas policisë po vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Durrës, për hetime të mëtejshme.