TIRANË- 8 vite pasi u lirua nga detyra si ambasador i Shqipërisë në Katar, Edmond Çaçës i sekuestrohen gjashtë pasuri të paluajtshme dhe një llogari bankare me vlerë 90 mijë euro e bashkëshortes së tij. Vendimi u mor më 24 korrik 2025 nga Gjykata e Shkallës së Parë, që pranoi kërkesën e organit të akuzës për sekuestrimin e pasurive të pajustifikuara dhe të padeklaruara nga çifti Çaça.
Sipas Prokurorisë, hetimi ndaj Edmond Çaçës nisi në vitin 2019, pas kallëzimit të bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), i cili konstatoi se diplomati kishte fshehur dhe nuk kishte deklaruar pasuritë në përputhje me detyrimet ligjore në periudhën 2014–2017.
Prokuroria thotë se ish-ambasadori ka kryer veprat penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Në vitin 2025 është regjistruar procedimi pasuror ndaj Çaçës dhe bashkëshortes së tij.
"Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi E. Ç., ka kryer veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe “interesave privatë” të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal, pasi në periudhën e viteve 2014 – 2017 ka qenë subjekt deklarimi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike", i ndryshuar dhe ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe “interesave private”.
Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar kryesisht, procedimi pasuror nr. 07/R, i vitit 2025, në ngarkim të këtij shtetasi dhe personit të lidhur (B.C), bazuar në Ligjin nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.
Pas hetimit pasuror të kryer dhe bazuar në analizën financiare të realizuar nga audituesi ligjor, është arritur në konkluzionin se subjekti i hetimit pasuror E.Ç. dhe personi i lidhur, nuk justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme", njoftoi Prokuroria e Tiranës.
Pas analizës financiare të realizuar nga auditues ligjorë, u konstatua se çifti nuk justifikonte me burime të ligjshme të ardhurash një sërë pasurish të konsiderueshme. Gjykata sekuestroi disa pasuri në vlerë të konsiderueshme, ku përfshihen sipërfaqe trualli mbi 8 mijë m2, dy apartamente, 10.800 m2 pyll dhe një llogari bankare me 90 mijë euro.
Komente

Sa paska vjedh mër burr. Haku i Nezit. Rrac e pisët.
Përgjigju