Sekuestrohet kompania e inceneratorit të Tiranës, reagon opozita: Vendim i vonuar, SPAK të shkojë te peshqit e mëdhenj! Paratë e shqiptarëve të kthehen në buxhet

1 Gusht 2023, 14:55| Përditesimi: 1 Gusht 2023, 15:02

  • Share

Pasi SPAK njoftoi për sekuestrimin e kompanisë së Inceneratorit të Tiranës, kanë qenë të shumta reagimet nga opozita. Basha, Tabaku, kryemadhi por edhe të tjerë, i kërkojnë SPAK të shkojë tek peshqit e mëdhenj.

Një vendim i vonuar por i mirëpritur sekuestrimi i Inceneratorit të Tiranës nga SPAK. Fatkeqësisht qeveria shqiptare duhet të kishte ndaluar pagesat për një kontratë që u nis me një kosto 129 milion euro të taksave shqiptare dhe u bitis me një vlerë 339 milion euro, shkruan në lidhje me vendimin e Spak për inceneratorin e Tiranës, deputetja Jorida Tabaku, një nga denoncueset më të forta të kësaj çështjeje. 

“Çdo qytetar i Tiranës, Durrësit, Kavajës, Vorës, Rrogozhinës paguante dyfish për një produkt që nuk e merrte”, thotë Tabaku. 

I sapo zgjedhur në krye të PD me votat e 18 mijë anëtarëve, Lulzim Basha e ka vlerësuar SPAK-un të vendosur, për hetimin e thelluar të aferës së shekullit, e cila u kushton takaspaguesve shqiptarë më shumë se 430 milionë euro.

Basha shkruan në Facebook, se sekuestrimi i inceneratorit fantazmë të Tiranës është një hap i duhur për zbardhjen e këtij megaskandali korruptiv. 

"Sekuestrimi i inceneratorit fantazmë të Tiranës është një hap i duhur për zbardhjen e këtij megaskandali korruptiv", shkruan Basha.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi në një mesazh në ‘Facebook’ Kryemadhi thekson se SPAK mori më në fund një veprim të kallëzuar nga partia që ajo përfaqëson që prej dy vitesh.

“Inceneratori i Tiranës është një vepër kriminale produkt i bashkëpunimit mafioz mes zyrtarëve publikë dhe biznesit. Të dyja palët janë përgjegjëse në vjedhjen e shqiptarëve. Jepi SPAK, edhe pak të duhet të arrish te peshqit e mëdhenj të Inceneratorit, Agaçi, Rama, Veliaj”, shkruan Kryemadhi.

Mes reagimeve ishte dhe ai i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

“Është vetëm hapi i parë, por i domosdoshëm, i rrugës për të bërë drejtësi për aferën korruptive të Edi Ramës e Veliaj, thotë Bardhi

Ora 15:06
Çështja e inceneratorëve, Sula: Falë SPAK s’ka më imunë para ligjit! Është aferë që ka përgjegjës ata që kanë firmosur

1689866762_dashsula.jpg

Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka reaguar sa i takon sekuestrimit të kompanisë së inceneratorit të Tiranës. Sula shkruan se falë punës së SPAK tashmë nuk ka më njerëz të pushtetushëm që janë imunë përpara ligjit. Ai shton se përgjegjës janë ata politikanët që kanë firmosur.

“Afera e Inceneratorëve është aq e madhe sa që askush nuk ka iluzione se mund të bëhej nga individë të caktuar. Kjo aferë ka vënë në lëvizje një makineri të tërë qeveritare dhe përgjegjësia qëndron tek të gjithë ata që kanë vepruar e firmosur.

-Akti i sotëm i SPAK që meriton vlerësime dhe inkurajim, tregon se nuk ka më imunë ndaj ligjit.

Unë mbështes pa asnjë ekuivokë prokurorët e Prokurorisë së Posacme që  parimi i të qënurit gardianë të ligjit, ti udheheqë deri në fund, pavarësisht se kush del para në rrugën e paligjshmërisë.

-Në Greqi pak ditë më parë ministri dha dorëheqien pasi nuk ndodhej në vend pasi kishin rënë zjarret, ndërsa në Shqipëri ministrat e ligjvënësit e pushtetarët lokalë e përdorin imunitetin për tiu shmangur drejtësisë. Në këto kushte sic e kam thënë edhe më parë, puna e Prokurorëve nuk është thjeshtë ushtrim i detyrës, por mision për ti kthyer shqiptarëve shtetin ligjor dhe për të spastruar politikën nga degët dhe rrënjët e kalbura.”- tha Sula

Ora 15:00
Sekuestrimi i kompanisë së inceneratorëve, Zhupa: Peshqit e mëdhenj ende notojnë në paratë që i japin çdo ditë inceneratorit që nuk ekziston

1690274421_inazhupa.jpg

Ina Zhupa ka reaguar në rrjete sociale për sa i takon sekuestrimit të kompanisë së inceneratorit të Tiranës. Zhupa thotë se ka ende politkanë të pa ndëshkuar për këtë vepër penale.

“SPAK sekuenstron inceneratorin e Tiranës!

Lajm i mirë por në fakt incenerator nuk ka. SPAK ka sekustruar letra dhe rrethon skenën e krimit sepse asnjë tullë nuk u vu për incenerator.

Vite denoncime, nga Sharra, nga selia, nga kuvendi, ne gjykatë përballe Mirel Mërtirit dhe më fund u morr një masë për inceneratorin fantazëm.

Peshqit e mëdhenj ende notojnë në paratë që i japin çdo ditë inceneratorit që nuk ekziston!

Asgjë nuk do bëhej pa vullnetin dhe firmën e Ramës dhe Veliajt.”-shkruan Zhupa.

Ora 13:53
Sekuestrohet kompania e inceneratorit të Tiranës, Meta: Vendim i vonuar, paratë t'u kthehen qytetarëve

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thënë se vendimi për sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës është i vonuar, por mbetet një lajm i mirë. Meta thotë se kjo është një aferë e krijuar nga një grup i strukturuar kriminal. Meta tha se paratë e vjedhura duhet t'i kthehen qytetarëve.

Pa asnjë diskutim, siç kanë treguar faktet e paraqitura nga ana jonë, kjo është kryevepra kriminale që ka ndodhur në vendin tonë dhe që është toleruar për një kohë të gjatë. E vlerësojmë shumë të vonuar, por është një lajm pozitiv, se efektet janë atje, faktet aty kanë qenë, ajo që dua të nënvizoj është se tre çështjet, Elbasani, fieri dhe Tirana, janë një çështje. Kemi të bëjmë me një aferë të krijuar dhe ideuar nga asnjë grup i strukturuar kriminal. Kjo është kryevepra kriminale e qeverisë në Shqipërisë, janë ndërmarrje e rilindjes me të cilën janë blerë dy palë zgjedhje dhe paratë e së cilës janë përdorur për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. E rëndësishme është riatdhesimi i parave të qytetarëve të Tiranës por dhe të Elbasanit e Fierit.", tha Meta.

Ora 13:32
Sekuestrohet kompania e inceneratorit të Tiranës, Tabaku: Vendim i vonuar, personat përgjegjës të dalin para drejtësisë

1690889630_joridatabaku.jpg

Deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se vendimi për të sekuestruar kompaninë e inceneratorit të Tiranës është i vonuar, por i mirëpritur. Në një reagim në Facebook, Tabaku shkruan se tani mbetet dërgimi para drejtësisë i personave përgjegjës.

“Një vendim i vonuar por i mirëpritur sekuestrimi i Inceneratorit të Tiranës nga SPAK. Fatkeqësisht qeveria shqiptare duhet të kishte ndaluar pagesat për një kontratë që u nis me një kosto 129 milion euro të taksave shqiptare dhe u bitis me një vlerë 339 milion euro. Tanimë detyra tjetër mbetet dërgimi përpara drejtësisë të përgjegjësve të tjerë që kanë firmosur dhe alokuar miliona euro nga buxheti i shtetit dhe bashkive për një instalacion korrupsioni. Një vit e gjysmë më parë në vendin ku sot është realisht një skenë krimi, denoncova dhe prova në sy të shqiptarëve së bashku me kolegët e mi atë që tanimë është e qartë; instalcionet e korrupsionit me vlerë 430 milion euro janë një provë e qeverisjes dhe vendimmarrjes së kësaj qeverie.

Koha po vërteton se monopoli i shkaktuar nga Bashkia e Tiranës për dherat që duhet të hidhen në atë incenerator por edhe kostoja që paguajnë shqiptarët për një proces që nuk kryhet është një abuzim i dyfishtë. Me gjithë këto arsye sërishmi milionat e taksës së korrupsionit paguheshin nga xhepat e shqiptarëve. Çdo qytetar i Tiranës, Durrësit, Kavajës, Vorës, Rrogozhinës paguante dyfish për një produkt që nuk e merrte. Paguante dyfish për mobilimin dhe vilat e një sëre të korruptuar që sot duhet të përgjigjet më shumë se kurrë”, shkruan Tabaku.

Ora 13:11
Sekuestrohet kompania e Inceneratorit të Tiranës, Kryemadhi: Jepi SPAK, godit peshqit e mëdhenj! Paratë e vjedhura t’i kthehen qytetarëve

1689769577_monika.jpg
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar pasi SPAK vuri në sekuestro kompaninë e Inceneratorit të Tiranës, duke e inkurajuar Prokurorinë e Posaçme që të godasë peshqit e mëdhenj, siç ajo e quan.

“SPAK më në fund ndërmori një veprim ndaj inceneratorit të Tiranës, i kallëzuar prej meje që prej dy viteve. Në këto momente shumë të rëndësishme, duhet të mos harrojmë se:

1. Inceneratori i Tiranës është një vepër kriminale produkt i bashkëpunimit mafioz mes zyrtarëve publikë dhe biznesit. Të dyja palët janë përgjegjëse në vjedhjen e shqiptarëve.

2. Të ndiqen paratë e vjedhura kudo ku këta hajdutë me kostum zyrtari e  biznesi i kanë fshehur, dhe çdo qindarkë t'u kthehet qytetarëve. Jepi SPAK, edhe pak të duhet të arrish te peshqit e mëdhenj të Inceneratorit, Agaçi, Rama, Veliaj”, shkruan Kryemadhi.

Ora 13:07
Sekuestrohet kompania e Inceneratorit të Tiranës, Bardhi: Përgjegjësit për këtë aferë të përballen me drejtësinë, paratë e vjedhura të kthehen në buxhet

1690373853_bardhi.jpg

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas sekuestrimit të kompanisë së Inceneratorit të Tiranës. Bardhi thotë se përgjegjësit e kësaj afere duhet të dalin para drejtësisë, ndërsa shkruan se paratë e vjedhura duhet të kthehen në buxhetin e shtetit.

“Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës është vetëm hapi i parë, por i domosdoshëm, i rrugës për të bërë drejtësi për aferën korruptive të Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Paratë e vjedhura qytetarëve duhet të kthehen në buxhetin e shtetit. Përgjegjësit për këtë aferë duhet të përballen me drejtësinë. SPAK është në rrugën e duhur për të bërë realitet ndëshkueshmërinë e çdo zyrtari të lartë të korruptuar. Askush mbi ligjin është më afër se kurrë”, shkruan Bardhi.

Ora 12:38
Sekuestrohet inceneratori i Tiranës, Basha: Përshëndes vendosmërinë e SPAK, hapi i duhur për zbardhjen e këtij skandali korruptiv

Lulzim Basha ka përshëndetur vendimin për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës. Basha shkuan se ky është hapi i duhur për zbardhjen e këtij skandali korruptiv.

“Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferës së shekullit, e cila u kushton takaspaguesve shqiptarë më shumë se 430 milionë euro. Sekuestrimi i inceneratorit fantazmë të Tiranës është një hap i duhur për zbardhjen e këtij megaskandali korruptiv.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, kësaj gangrene që shkatërron vendet e punës dhe mirëqenien e shqiptarëve. Qytetarët shqiptarë presin dhe meritojnë drejtësi, ata e dinë mirë që peshku qelbet nga koka”, shkruan Basha.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?